Berisha “non grata”, Spiropali: Keqardhje, kambanat kanë rënë për të gjithë
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, komentoi vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.
Nga foltorja e Kuvendit, Spiropali tha se Berisha ka ditur vetëm të përçajë qytetarët.
“Dënimi kapital i Sali Berishës, nuk më lumturoi. Por përkundrazi prodhoi keqardhje të thellë, që tmerre dhe turpe të tilla kanë ndodhur në vendin im. Ndjeva keqardhje që lajme për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e familjen e tij mbushën botën. Ai hyri në vendin e tij me vendosmërinë e një shqiponje, por po del si korbat e zinj. Keqardhje që karizmën e tij të lindur prej lideri Sali Berisha nuk e përdori për të bashkuar dhe për të shpërndarë palët, por për të futur plagët e përçarjes.”
Reagimin e Lulzim Bashës, sipas Spiropalit, e ka shkruar Sali Berisha. Ajo shtoi se me këtë vendim të DASH, të gjithë duhet të tremben.
“Reagimi i Lulzim Bashës që s’po di nga t’ja mbajë dhe reagimi i PD që s’po gjen derman, ishte për të qeshur. Ata që nuk kanë lënë njeri pa sharë, sot duan prova për vendimin e shpallur. Vetë reagimi i Bashës duket se është i shkruar me bojën e Berishës. Lufta frontale ndaj pandëshkueshmëris është pa kthim. Me fatet e vendit nuk bëhet shaka. Kambana ra për të gjithë. Nuk mund të jesh edhe lider, edhe makut.”/vp























