“E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”
“Procesi i Berlinit në terma politikë ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe për Shqipërinë. Si i tillë duhej ndjekur me kujdes nga vendet, që kërkonin të anëtarësoheshin në Bashkimin Evropian (BE)”.
Kështu u shpreh për Albanian Post (AP) studiuesi i politikës, Dritan Sakuta, për sfidat dhe përfitimet që kanë pasur vendet e BP-së pas krijimit të Procesit të Berlinit.
Çfarë është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit do të fillonte më 28 gusht 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Si një iniciativë, synimi i së cilës është forcimi i bashkëpunimit rajonal mes udhëheqësve të vendeve të BP-së (Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) dhe të çojë drejt integrimit të tyre në BE.
Deri më tani ka përfunduar faza e parë e uljes në tryezë për gjashtë vendet e BP-së, për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe problemet mes tyre.
Në vijim, Sakuta thotë se “mendoj se ishte një proces i nxituar nga ana e BE-së”.
Sipas tij, “ajo kërkoi që, me një goditje t’i anëtarësonte të gjitha vendet e rajonit të BP-së, duke harruar që vendet ndërmjet njëra-tjetrës kanë një disbalancë socio-politike dhe ekonomike”.
Nga ana tjetër, studiuesi i ekonomisë, Ilvi Deda, për AP-në tha se “ky proces ka ndikuar pozitivisht në Shqipëri në rritjen ekonomike”.
Qeverisja ekonomike ishte një nga shtyllat kryesore të politikës së zgjerimit të BE-së dhe një qasje e re në monitorimin e zhvillimit ekonomik të vendeve të zgjerimit.
Shqipëria, sipas Dedës, në vitin 2014 e rriti dominimin e saj në rajon në tregtimin e mallrave.
“Specifikisht me Italinë, duke zgjeruar hapjen e saj kundrejt tregtisë. Si rrjedhojë, duke sjellë një rritje të eksporteve me 92.3% krahasuar me 86% në vitin 2008”.
Por Sakuta mendon se Shqipëria ishte akoma e papërgatitur për një proces të tillë.
“Një proces i tillë do të thoshte që Shqipëria në vetvete si shtet duhet të kishte arritur kapacitetet për të negociuar me BE-në. Pra, të niste negocimi i të paktën disa kapitujve me BE-në”.
Deda thotë se, falë dy mekanizmave të dimensionit ekonomik që Shqipëria përdori, u arrit ulja e borxhit të përgjithshëm publik dhe thithja e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), të cilat kanë ndikuar “relativisht mirë”.
“Për tremujorin e III-të të vitit 2016, Fluksi i IHD-së ka qenë 286 milionë euro, me një tendencë rritjeje me 12%, krahasuar me fluksin prej 255 milionë eurosh të së njëjtës periudhë të vitit 2015. Magnituda e indikatorëve të IHD-ve kundrejt PBB-s është rritur në 11.6% për vitin 2015, nga 8.7% që ishte në vitin 2014”.
BE-ja forcoi ushtrimin e saj të qeverisjes ekonomike me vendet e zgjerimit në vitin 2015, për t’i përgatitur ato për pjesëmarrjen e tyre eventuale në Samitet Evropiane.
“Përgjatë viteve të fundit, vendet e BP-së kanë prezantuar një sërë projektesh, me bashkëfinancim nga BE-ja në vlerën 616.5 milionë euro”, thotë Deda.
Edhe Sakuta mendon se rritja ekonomike në Shqipëri ka pasur ndikim pozitiv.
“Nëse do të flasim për politikat tregtare, ndikoi pozitivisht. Shqipëria ka arritur që të ketë marrëveshje me shumë vende të tjera për eksport dhe import”.
Dështimi i Procesit të Berlinit
Sakuta thotë se Procesi i Berlinit ka çaluar në rrugën e integrimit evropian të vendeve të BP-së. Kjo, pasi jo të gjitha vendet e BP-së ecin në mënyrë paralele kundrejt plotësimit të kushteve për t’u bërë anëtare të BE-së.
Sakuta bëri një krahasim të problemeve dhe kushteve që këto vende duhet të plotësojnë për të përmbushur kriteret e evropianizimit.
“Nëse në Serbi, një nga kushtet kryesore është njohja dhe paqja me Kosovën, Shqipëria nuk e ka”.
Ai shton se Shqipëria nuk përmbush disa kushte, siç janë: mjedisi, peshkimi, tregu i lirë dhe raporti midis importit dhe eksportit. “Ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë hapa galoponte”.
“Megjithatë”, thotë ai, “Shqipëria është më mirë se Bosnjë dhe Hercegovina, por nuk e di sa na kënaq kjo gjë, duke qenë se Bosnja është një tmerr i vërtetë, me paqëndrueshmëri politike dhe socio-ekonomike”.
Edhe Deda mendon se Shqipëria ka pasur çalime përgjatë viteve të fundit në plotësimin e kushteve të BE-së.
“Shqipëria ka çaluar në klimën e të bërit biznes, që shënoi rënien më të madhe të tetë viteve të fundit, në normën 38.17 %”.
Deda shton se kjo ka ardhur për shkak të korrupsionit të theksuar në klimën politike.
Në përfundim, Sakuta mendon se dështimi i procesit erdhi pikërisht nga mosllogaritja e politikës jo të njëjtë të këtyre gjashtë vendeve.
“Nuk mund t’i krahasosh vendet e BP-së dhe t’i marrësh si një grup i përgjithshëm. Ato duhet të merren si të veçanta”.
Çfarë thonë ndërkombëtarët?
Nga ana tjetër, më 25 maj, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ka deklaruar se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave me BE-në.
Vazhdimisht ai ka thënë se BE-ja nuk është e plotë pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, edhe ministrat e Jashtëm austriakë, çek dhe slloven, kanë theksuar faktin se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për hapjen e negociatave me BE-në.
“E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”. Ky ishte mesazhi i dhënë gjatë Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Selanik të vitit 2003.
Samiti i radhës për 2021-in do të mbahet në Berlin.
Por a janë të gatshme vendet e Ballkanit Perëndimor të përqafojnë politikat dhe kushtet që BE-ja kërkon?
/Albanianpost.com























