Kush shkel orën policore i pezullohet patenta 30 ditë
BKT
Shqipëri

Kush shkel orën policore i pezullohet patenta 30 ditë

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj, ka njoftuar se kush shkel orën policore, patenta, leja e qarkullimit apo mjeti do i bllokohet vetëm për 30 ditë, jo 3 vite, siç ishte parashikuar më herët në Aktin Normativ.

Z.Dervishaj theksoi se edhe personave që u është bllokuar më herët patenta (e shoqëruar me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit) dhe që kanë plotësuar afatin prej 30 ditësh, mund t’i tërheqin ato mbrapsht.

Gjatë një deklarate për mediat, z. Devishaj u bëri thirrje qytetarëve që kanë pasur një dënim administrativ të tillë që të drejtohen në strukturat respektive të Policisë Rrugore, ku kanë marrë vendimin e dënimit administrativ për pezullimin e lejes së drejtimit apo bllokimin e mjetit, për të kryer procedurat përkatëse të tërheqjes së tyre, nëse kanë plotësuar afatin 30 ditor.

Ndërkohë, z Dervishaj njoftoi se që nga nesër hyn në fuqi ora e re policore sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, e cila do të jetë nga ora 23:00 deri 06:00, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, euronews.albania.

Ndërsa qytetarët që do duhet të lëvizin për arsye punë përtej orës 23:00, duhet të jenë të pajisur me leje nga e-Albania ose të kenë dokumentin që vërteton se është punonjës në një nga shërbimet kritike.

Gjithashtu duke filluar nga data 1 qershor, orari i ndalimit të muzikës në çdo mjedis shërbimi është përcaktuar ora 22:00.


MË SHUME NGA Shqipëri