Abdixhiku: Asociacion brenda interpretimit të Kushtetueses
BKT
Lajme

Abdixhiku: Asociacion brenda interpretimit të Kushtetueses

Abdixhiku: Kurti në dialog s’do të ketë tema se a janë dokumentet ‘nën tepih apo në raft’ – do të ketë negociata të vështira

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk marrin pjesë në dialogun me Serbinë, ani pse kjo parti e mbështet këtë proces dhe vlerëson që Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i shmanget dialogut.

Në diskutimin e organizuar nga Lëvizja FOL, i pari i LDK-së ka folur edhe për marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe, për çka ka theksuar se LDK e përkrah formimin e tij vetëm sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai e ka kritikuar qeverinë, kabinetin e së cilës i ka vlerësuar të dobët e praktikantë, derisa ka shtuar se po të kishte guxim, Kurti do të shkarkonte ministrin serb Goran Rakiq pas deklaratave të këtij të fundit kundër kryeministrit të vendit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka përmendur si të rëndësishme pikën 2 të marrëveshjes për asociacionin e cila e thekson se e njëjta duhet të dërgohet në Kushtetuese.

Abdixhiku ka thënë se LDK do të votonte çdo marrëveshje të nënshkruar nga Qeveria Kurti, në të cilën do të parashihej dërgimi i saj në Kushtetuese, por sipas tij, kryeministri nuk mund të bëjë një gjë të tillë.

Abdixhiku: Asociacion brenda interpretimit të Kushtetueses

“Është folur shumë rreth marrëveshjes për asociacionin e shumë pak për pikën 2 të kësaj marrëveshje që thotë se kjo marrëveshje dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe formati i organizimit të asociacionit bëhet sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, nënshkruar nga kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Serbisë. Le ta bëjë Qeveria e Kosovës një marrëveshje me Serbinë, në të cilën parashihet që ajo marrëveshje të vijë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, le ta ketë edhe ajo pikën 2 siç e ka pasur ajo tjetra, LDK do ta votojë me dy duar, blanko, çfarëdo marrëveshje që brenda saj e ka interpretimin e Gjykatës Kushtetuese siç e ka pasur ajo marrëveshje dhe LDK do ta përkrahë. Por unë jam i bindur që ky kryeministër nuk do të mund ta bëjë një gjë të tillë, ta marrë firmën e Serbisë që marrëveshja të shkojë në Kushtetuese. Ne do ta ndërtojmë të ardhmen tonë duke e ruajtur rendin dhe frymën kushtetuese… Qëndrimi im dhe i LDK-së është ky: po asociacion brenda Gjykatës Kushtetuese, asgjë më shumë ose më pak”, tha Abdixhiku.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të shmanget nga dialogu, por që sipas tij, pa përfshirjen e drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk mund të ketë rezultate në dialogun me Serbinë. Por, ai ka theksuar gjithashtu se LDK nuk do të marrë pjesë në këtë proces.

Abdixhiku: LDK nuk merr pjesë në dialogun me Serbinë

“Unë si kryetar i LDK-së i kam bërë të qartë pozicionin kryeministrit dhe po ua bëj edhe juve njëjtë sepse nuk kam çfarë të ndryshoj e të fshehë. LDK nuk merr pjesë në dialog, LDK u ka dorëzuar një dokument që mund t’u ndihmoj sepse nuk po dini, merrni këtë dokument, merrni këtë bazë, ndërtoni pozicionin tuaj. Ajo çfarë kam parë prej qeverisë së tanishme në dialog është më tepër akuzimi i klasës paraardhëse politike, me Vuçiqin e ndërmjetësues ndërkombëtar, nuk do të merresh me temat a janë dokumentet ‘ndër tepih apo janë në raft apo në cilin kat janë, do të bësh negociata të thella e të vështira, këtë punë qeveria që i ka 50% duhet ta merr përgjegjësinë”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, Albin Kurti ka ndryshuar të gjitha qëndrimet e tij me marrjen e drejtimit të qeverisë.

Përveç qëndrimeve për dialogun, ai ka përmendur edhe çështjen e shkarkimit të ministrave, që sipas tij, Kurti do të duhej të shkarkonte ministrin Rakiq, pas deklarimeve të fundit se serbët nuk do të heqin dorë nga formimi i asociacionit.

Abdixhiku: Kryeministri të shkarkojë ministrin e tij nëse ka guxim

“Kryeministri është duke i ndërruar qëndrime me të madhe, të gjitha një pas një, sidomos në çështjen e dialogut dhe jo vetëm aq, e keni edhe një deklaratë të ministrit të tij që e ofendon kryeministrin dhe kemi heshtje totale të qeverisë, a ju duke e pranueshme kjo gjë, si është e mundur një ministër të ofendojë kryeministrin e tij dhe mos të ketë fare reagim, nuk ka lidhje kush është nuk ka lidhje çfarë është, ky relacion është jo funksional, prej sot kryeministri nuk mund të funksionojë me njërin prej ministrave të tij, njëri nuk mund të qëndrojë aty, njëri nuk duhet të qëndrojë aty, njëri nga ata të dy nuk mund të jenë pjesë e një tavoline, e rendi është që kryeministri ta shkarkojë ministrin e vet, po pati guxim”, tha ai.

Abdixhiku e ka quajtur programin e qeverisë sipërfaqësor e të zbrazët, derisa kabineti ka thënë se është i dobët.

Abdixhiku: Kabineti Kurti - një qeveri e praktikantëve

“Gjithë kabineti qeveritar është i dobët, mendoj që kemi një qeveri për kapacitete të nën përfaqësuar në kabinetin qeveritar, një pjesë e madhe e këtij kabineti kanë qenë ish-drejtor të Komunës së Prishtinës dhe punën e tyre e kemi parë në katër vjetët e parë sa i përket aftësisë për të bërë politikë ekzekutive, por në anën tjetër ka mungesë serioze të përfaqësimit të ideve në publik... Duket që është një qeveri e praktikantëve e jo një qeveri e burrave e grave më të mirë të këtij vendi që duhet të udhëheqin guximshëm e të japin alternativa të guximshme. Kosova ka nevojë për ndryshime radikale e nuk ka nevojë për teori e përralla të së kaluarës, të kaluarën të gjithë e dimë këtu, e dimë si kemi ardhur këtu, e dimë çfarë defekte ka pasur kjo shoqëri për 20 vjet, por të rinjtë e të rejat e këtij vendi me kalimin e kohës do të presin zgjidhje konkrete të problemeve të tyre”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme