Merret e pandehur ish-Kryebashkiakja e Gjirokastrës
Ish-drejtuesja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, e akuzuar për shpërdorim detyre nga SPAK është marrë zyrtarisht e pandehur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Klan News raporton se gjatë zhvillimit të seancës Rami ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe kjo është pranuar nga gjykata.
Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se ish-Kryetarja e Bashkisë gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, në lidhje me procedurat e ndjekura për lejen e ndërtimit dhe vazhdimin e punimeve për realizimin e projektit “Rikonstruksion i rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit”, si dhe lejen e ndërtimit dhe vazhdimin e punimeve për realizimin e projektit “Rikualifikimi i hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindasve në Gjirokastër”, ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, duke prishur dy prona të ligjshme të dy qytetarëve duke i shkaktuar atyre një dëm pasuror në vlerë 5 600 520 lekë.
Zamira Rami, u kallëzua nga këta dy qytetarë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas tyre, shembja e objekteve është kryer, pa marrë një vendim shpronësimi për këto pasuri./tvklan.al























