Yuri Kim: Shqipëria, në kulmin e reformës në drejtësi
Thirrja e ambasadores amerikane, Yuri Kim, për Shqipërinë është të vijojë reformën në drejtësi, pavarësisht pengesave.
Gjatë një aktiviteti në Gjykatën e Lartë, ajo kërkoi që të vazhdojë puna për ngritjen e Gjykatës së Lartë.
Kryediplomatja e SHBA-së tha se Shqipëria është në rrugën e duhur.
“Ky ka qenë një shteg i kthesave të papritura, sfidave dhe pengesave të paparashikuara. Jam këtu sot për t’ju kujtuar se po i afroheni majës. Ju them se pamja nga lart është e një të ardhmeje më të ndritur dhe me mundësi më të mira. Vizioni se ku mund të shkoni nga atje është i qartë. Ne do të arrijmë atje së bashku, hap pas hapi. Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku. Institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë, janë tashmë funksionale dhe reforma në drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive. Publiku shqiptar meriton të shohë se çfarë janë të afta të bëjnë këto institucione me të pasur kapacitet të plotë! Të gjithë jemi duke iu ngjitur së bashku majës së atij mali. Shqipëria është tani në kulmin e reformës reale në drejtësi.”
Yuri Kim garantoi mbështetjen e SHBA-së për Shqipërinë, për të siguruar një sistem drejtësie të drejtë./vp























