Kusari-Lila apelon për kujdes të vozitësve dhe kalimtarëve
Shefja në detyrë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë një thirrje për të gjithë vozitësit dhe kalimtarët.
Kjo kërkesë e saj vjen pas aksidentit të rëndë që ndodhi sot në Koshare të Ferizajt, si pasojë e së cilit vdiqën katër persona dhe një tjetër është në gjendje të rëndë në QKUK.
“Sot Kosova humbi katër qytetarë të saj në një aksident trafiku në Ferizaj. Një person tjetër është në gjendje të rëndë i hospitalizuar. Rrugët tona çdo ditë po shënojnë viktima dhe të lënduar nga aksidentet e trafikut. Rreziku i cili po kanoset nga pakujdesia e vozitësve është brengosës dhe urgjentisht duhet të merren masa parandaluese, në veçanti tani gjatë muajve të verës kur numri i makinave në trafik shtohet dukshëm”, shkruan Kusari-Lila në Facebook.
Ajo i ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe shërim të shpejtë për të lënduarin.
“Kujdes dhe vëmendje për të gjithë vozitësit dhe kalimtarët, jeta është e shtrenjtë të humbet në aksident trafiku”, përfundon ajo.
Kujtojmë se pas aksidentit tragjik në Koshare të Ferizajt, vdekje pati edhe në një aksident në rrugën Prishtinë-Pejë, si pasojë e të cilit vdiq vozitësi i veturës.























