Lamallari: Deri në fund të qershorit përfundon faza e parë

Lamallari: Deri në fund të qershorit përfundon faza e parë

Bashkë me sezonin turistik, në bregdetin shqiptar ka nisur dhe procesi i prishjes së ndërtimeve të paligjshme.

E për të folur rreth këtij aksioni, ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në studion e “Wake Up”, zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Sipas tij, punimet kanë ecur dhe deri tani janë 28 godina të prishura në Velipojë dhe Ksamil.

“Vijon operacioni i prishjes së ndërtimeve të paligjshme në Velipojë e Ksamil, për t’u shtrirë më pas në gjithë bregdetin shqiptar”, tha Lamallari.

I pyetur se pse në këtë periudhë, ku sapo ka nisur sezoni turistik dhe ka turistë, zëvendësministri i Brendshëm tha se “nuk ka një periudhë të caktuar për të zbatuar ligjin”.

“Për tu ofruar turistëve shqiptarë më shumë siguri. Nëse kemi nisur një operacion, do të thotë se është marrë në konsideracion çdo gjë. Kemi edhe pikat ku të do hidhen inertet. Kemi edhe përgjegjësitë për zyrtarët që kanë lënë që të lejohen këto godina të bëhen.

Nuk mund t’i thuash dikujt që ka ndërtuar dhe ka marrë leje për godinën, shiko, prit edhe këto tre muaj të sezonit sepse këto kioskat e paligjshme që nuk duan t’ia dinë për ligjin, nuk paguajnë taksat, do i prishim më vonë. Kjo e dëmton imazhin e vendit. Nuk është aksion, është një reformë”, tha Lamallari.

Të gjithë janë dakord që ligji duhet të zbatohet. Por qytetarët i ka shqetësuar fakti se pse tani? Do ishte penguar lejimi i ndërtimeve pa leje?

Tani në fillim të sezonit turistik fillojnë e mbijnë këto ndërtimet pa leje, e tani është koha për t’u dhënë mesazhin që nuk duhet të behën.

A ka pasur rezistencë nga pronarët?

Nuk ka pasur. Ka qenë një rast i shëmtuar, e urojmë që mos të përsëritet më. Policia është aty, nuk do të ketë raste të tjera.

Çfarë do të prishet? Kioska apo çfarë godinash?

Ndërtesat pa leje, kioskat. Ka edhe godina që kanë leje për 3-4 kate dhe janë bërë shtesa, edhe ato do prishen.

Sa godina të tjera do të prishen?

Ka më shumë se dhjetëra godina.

Si ka qenë bashkëpunimi me Bashkitë?

Ka qenë korrekt, i koordinuar nga prefekturat, që mundëson bashkëpunimin me pushtetin lokal.

Sa zgjat ky aksion?

Deri në fund të qershorit mbyllet faza e parë, por është një proces që do vijojë sërish. Ka më shumë objekte, e nisëm me bregdetin, por do vijojë gjithandej./gazeta shqip