Halebi për ATSH: Bizneset më shumë mundësi në tregjet ndërkombëtare
BKT
Shqipëri

Halebi për ATSH: Bizneset më shumë mundësi në tregjet ndërkombëtare

Të gjitha certifikatat e lëshuara nga laboratorë të akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, certifikatat e sistemeve të menaxhimit, certifikimit të personave dhe inspektimit të lëshuara nga organet certifikuese dhe inspektuese të akredituar nga DPA, janë ekuivalente dhe të pranuara në nivel europian.

Kjo ka bërë që numri i subjekteve të akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, të njohë një rritje cilësore nga viti në vit. Krahasuar me vitin 2013, sot vërehet rritje me 3 herë. E përkthyer në shifra në vitin 2013 numëroheshin 32 trupa të akredituara, ndërsa në vitin 2021 janë 93 trupa që kanë përfituar shërbimin e akreditimit.

Akreditimi është një mekanizëm që ndikon në rritjen e besueshmërisë dhe ndihmon autoritetet, ekonominë dhe shoqërinë që të gjykojnë nëse laboratorët e provave, organizmat e inspektimit, certifikimit plotësojnë detyrat specifike.

Bizneset përmes akreditimit kanë më shumë gjasa të tërheqin konsumatorë që kërkojnë cilësi dhe të rrisin shitjet.

Drejtori i Përgjithshëm i Akreditimit, Armond Halebi në një intervistë për ATSH-në thotë se DPA ka të nënshkruara katër marrëveshje me Organizatën Evropiane të Akreditimit (EA), në fushën e testimit sipas standardit ISO/IEC 17025, në fushën e certifikimit të sistemit të menaxhimit sipas standardit ISO/IEC17021-1, në fushën e certifikimit të personave sipas standardit 17024, dhe në fushën e inspektimit sipas standardit ISO/IEC 17020.

“Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve përbën jo vetëm një arritje shumë të madhe për DPA, por mundëson që një organ i vlerësimit të konformitetit nuk do të akreditohet më shumë se një herë për të njëjtën fushë akreditimi, duke mundësuar lëvizjen e lirë të produkteve dhe shërbimeve në tregjet e huaja pa iu nënshtruar ri-testimit ose ri-certifikimit në vendin hyrës, duke e bërë kështu akreditimin që të shërbejë si një pasaportë e vlefshme në të gjitha tregjet ndërkombëtare”, shprehet Halebi për ATSH.

Njëkohësisht, vuri në dukje ai, nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla, çon në rritjen e reputacionit të bizneseve vendase në tregun ndërkombëtar, eliminimin e barrierave teknike në tregti, qarkullimin e lirë të mallrave dhe konkurrencë të ndershme.

“Këto arritje shpresojmë të jenë një nxitje për biznesin, i cili duhet të njihet me marrëveshjet dhe të përfitojë nga mundësitë që jep marrëveshja edhe në kuadrin e CEFTA-s”, thekson ai.

Kur një subjekt është i akredituar, mund të përfitojë një visibilitet më të mirë në treg, mundëson që raportet dhe certifikatat të jenë më të pranueshme në tregjet jashtë shtetit, nëpërmjet njohjes ndërkombëtare të marrëveshjeve shumëpalëshe.

“Akreditimi është një mjet marketingu efektiv. Është një pasaportë për të marrë pjesë në tendera që kërkojnë organizma të akredituara në mënyrë të pavarur”, shprehet për ATSH kreu i DPA-së, Halebi.

Shërbimi i akreditimit ofrohet për laboratorë testues dhe kalibrues sipas fushave, mjedis, ndërtim, ushqim, karburante, verifik metrologjik, metale, gaze industrial, etj.

Ofrohet gjithashtu për trupa inspektues që operojnë në fushat e ashensorëve, enë nën presion, mjete rrugore, verifikim metrologjik, pajisje elektrike, tahograf, pajisje mbrojtëse personale, pajisje ngritëse.

Akreditim ofrohet edhe për sisteme menaxhimit: ISO 9001, ISO 140001, ISO 45001,ISO 5001, ISO 22000 etj, ashtu si dhe për trupat që kryejnë certifikim personi: personat që punojnë me pajisje elektrike, personat që punojnë me ashensorë apo persona të angazhuar me sigurimin teknik.

“Fusha të reja janë inspektimi i pajisjeve ngritëse, vinca të llojeve të ndryshme, kontenierëve, pajisje ngritëse të tjera, inspektimi i ashensorëve, inspektimi i pajisjeve elektrike, instalimeve, impianteve dhe linjave, inspektimi teknik i automjeteve, inspektimi i komoditetit të mjeteve të transportit publik, kryerja e analizave të metaleve të renda në ujë dhe ajër, kryerja e analizave të gjedheve, kryerja e analizave të emisioneve nga oxhaket, kryerja e analizave mikorbiologjike në ushqime, certifikimi i sistemeve të menaxhimit të energjisë, pajisjeve mjekësore, etj”,tha Halebi për ATSH.

“Në përmbushje të misionit dhe objektivave të saj Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA) ka hedhur shumë hapa para në rrugën e zgjerimit të marrëveshjeve të njohjes reciproke duke u kthyer ne një nga institucionet që i është bashkuar plotësisht familjes së madhe europiane duke i paraprirë objektivave madhore të shtetit shqiptar për të qenë pjesë e Bashkimit Europian”, deklaron Halebi për ATSH.

 


MË SHUME NGA Shqipëri