Krasniqi përkujton Vokrrin: Do të mbetet gjithmonë inspirim i gjeneratave
Në trevjetorin e ndarjes nga jeta, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi ka përkujtuar legjendën e futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, duke thënë se ai do të mbetet inspirim për gjeneratat e reja.
Vokrri ishte ndër meritorët për pranimin e Kosovës në shtëpitë më të mëdha të futbollit, atë të FIFA-s dhe UEFA-s, dhe tani “Dardanët” janë duke gëzuar punën e tij.
“Qershori i sotëm shënon trevjetorin e ikjes në amshim të legjendës së futbollit mbarë-shqiptar, Fadil Vokrri. 9-shi me të cilin krenoheshim të gjithë në vitet e arta të KF Prishtina, do të kujtohet përherë nga Lëvizja Olimpike e Kosovës, të cilës i shërbeu edhe në vitet e fundit, duke qenë nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës”, shkruan Krasniqi.
Ai tha se veprimtaria e Vokrrit nuk do të vdesë kurrë, por ajo do të jetë një inspirim i vazhdueshëm për brezat e ardhshëm.
“Kontributi i Vokrrit ishte i jashtëzakonshëm edhe nën drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilën arriti ta largojë nga izolimi, për ta bërë anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s. Legjenda Vokrri ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë inspirim për gjeneratat e reja, të cilat u rritën duke kënduar e veshur fanellën e 9-shit të Prishtinës dhe jo vetëm”, tha Krasniqi.























