Rama-Zaev firmosin marrëveshjen për pika të përbashkëta të kalimit kufitar

Rama-Zaev firmosin marrëveshjen për pika të përbashkëta të kalimit kufitar

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan sot marrëveshjen mbi ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua sot në Tiranë.

“Një ditë e mirë për të ardhmen e rajonit tonë”, e cilësoi Rama këtë samit, ndërsa ndau pamje nga takimet e zhvilluara sot.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, Rama tha se të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi se si e quan njëri apo tjetri, po ka rëndësi që të çojë përpara jetësimin e 4 lirive të Europës në rajonin tonë”.

Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor nisi sot punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përkatësisht; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, si dhe të Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi.

Të pranishëm në këtë Samit ishin presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, drejtori i Sekretariatit të CEFTA, Emir Djikic, zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Përhershëm të organizatës së Traktatit të Komunitetit të Transportit, Ljuba Siljanoska. /atsh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare