Balla: Nga nesër fillon përgatitja e PS për të fituar mandatin e 4
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dalë në një prononcim për mediat, ku ka dhënë detaje nga Kongresi i PS, i cili do të mblidhet të shtunën, e që përkon me 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie.
Numri dy i PS-së deklaroi se duke filluar nga nesër, fillon përgatitja për mandatin e katërt të PS-së, ndërsa shtriu sërish dorën e bashkëpunimit me PD-në në legjislaturën e re të Kuvendit. Sipas tij, kryedemokrati Lulzim Basha do të jetë ai që do të zgjidhet sërish në krye të PD.
“Unë nuk do të zbardh sot surprizat e bukura, që do të sjellë të gjithë kontributin e atyre në PS, që duke kontribuar për PS, kanë kontribuar edhe për rrugëtimin në BE. Do të ketë mesazhe, përshëndetje, dhe pas kësaj do të kalojmë në prezantimin e vizionit tonë “Shqipëria 2030”, ku brenda kësaj pjese do të jetë edhe përmbledhja e objektivave tona për mandatin e ri qeverisës. Më pas, është dhe një pjesë tjetër, që është pjesa që lidhet me procesin e thellë të analizës dhe riorganizimit të plotë të strukturës së PS në të gjithë territorin, në të gjitha nivelet, nga ai bazë në të gjitha nivelet e tjera. Dua ta nënvizoj dhe të jetë e qartë për gjithë strukturën e PS, ndoshta në dy palë zgjedhje ato të 2013 dhe 2017, nekemi bërë një analizë të duhur dhe të thellë për të kuptuar se në cilat pjesë të organizimit tonë nuk kemi funksionuar si duhet dhe ku duhet të përqendrohemi. Në këtë këndvështrim, prandaj ne po i japim vetes kaq shumë kohë në dispozicion. Procesi fillon nga 15 qershori e deri më 15 janar 2022, për të garantuar që në pranverën e 2022 e gjithë struktura e PS t’i përgjigjet pritshmërisë së kryetarit Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë, që jemi drejtues rajonalë të PS, në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 2023.”/vp























