KE i FFK-së diskuton për projekt-strategjinë zhvillimore
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti sot mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Sipas njoftimit të FFK-së, KE shqyrtoi Projekt Strategjinë zhvillimore të FFK-së, ku do të përfshihen objektivat afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të futbollit të Kosovës në të gjitha fushat.
Në njoftimin e publikuar në media pas takimit nuk thuhet asgjë rreth zërave për mospajtueshmëri ndërmjet presidentit të këtij institucioni dhe sekretarit të përgjithshëm, por burime nga takimi bëjnë të ditur se mosmarrëveshjet janë tejkaluar dhe do të vazhdohet tutje bashkëpunimi me qëllim të progresit të futbollit kosovar.
KE i FFK-së diskutoi edhe për përkrahje të klubeve që kanë kaluar në rang më të lartë të garave, duke konstatuar se jo të gjitha kanë kushtet e nevojshme, ndaj FFK do t’u dalë në ndihmë që të jenë të përgatitura në përputhje me rangun e garave.
KE analizoi edhe ndeshjet e Kombëtares A që pati gjatë kësaj periudhe dhe konstatoi së ishin ndeshje të mirëseardhura për konsolidimin e Kombëtares para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2022.
KE diskutoi edhe për përgatitjet që duhet të ndërmarrin të gjitha organet e FFK-së për edicionin e ri të garave 2021/2022 , si dhe shqyrtoi edhe ankesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi.























