Grupimi "për PD" liston shkeljet në zgjedhjet për kryetarin

Grupimi "për PD" liston shkeljet në zgjedhjet për kryetarin

Mbyllja e votimeve për kryetar të PD-së, ku Lulzim Basha mori besimin e 80 për qind të pjesëmarrësve ka ngjallur pakënaqësi te sfidantët.

Grupimi për PD-në ka renditur një sërë shkeljesh. Madje kandidatja, Edith Harxhi, i konsideroi tejet të rënda.

"Listat e anëtarësisë nuk u vunë në dispozicion të kandidatëve, përjashtimi nga lista e votuesve e 28 mijë anëtarëve nga PD, nga kryetari i PD. Janë përjashtuar nga ky proces themelues partie, ish-deputetë, ish-kryetarë degësh të PD, ish-kryetarë bashkish, ish-kryetarë qarqesh, studentë dhjetorë të vitit '90, sekretarë të degëve. Janë shpërndarë karta anëtarësie deri në datën 13 qershor 2021. Një pjesë votuesish janë paraqitur për të votuar pa karta anëtarësie. Infrastruktura fizike dhe ajo njerëzore në selinë qëndrore dhe atë lokale u bë e gjitha e funksion të kryetarit në detyrë."

Harxhi thekson se procesi ishte larg standardeve.

"Këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje as zgjidhje, ishin larg çdo standardi vendor jo ndërkombëtar".

Pavarësisht kësaj edhe grupimi për PD deklaron se nuk do të ndahet nga selia blu, njofton oranews.

"Ne si grup do të vazhdojmë të punojmë brenda PD, në të gjitha strukturat e saj për të rikthyer vlerat demokratike, për ta hapur dhe bërë një projekt të ri, ringritjen dhe rithemelimin e partisë. Nisma jonë nuk ka përfunduar por ka filluar në 13 qershor".

Në garën për kryetar të PD u përfshinë, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.