OSBE dhuron pajisje teknologjike për Policinë Kufitare

OSBE dhuron pajisje teknologjike për Policinë Kufitare

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri i dorëzon drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pajisje teknologjike për Policinë Kufitare.

Mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një ceremoni me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe të ambasadorit të Prezencës së OSBE-së.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka falënderuar ambasadorin Vincenzo Del Monaco, për mbështetjen e vazhdueshme për strukturat e Policisë së Shtetit, veçanërisht për ato të kufirit dhe migracionit.

Vincenzo Del Monaco vlerësoi marrëdhënien mjaft të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Prezencës së OSE-së në Shqipëri. Ai u shpreh se së fundmi kishte vizituar disa prej pikave të kalimit kufitar në vend dhe ishte impresionuar nga profesionalizmi i drejtuesve dhe punonjësve të Policisë Kufitare. Gjithashtu, ambasadori ka vlerësuar rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit, në drejtim të goditjes së veprimtarisë kriminale në të gjitha fushat që ajo shfaqet.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në vijim të mbështetjes së vazhdueshme për Policinë e Shtetit, dhuroi sot për Policinë Kufitare disa pajisje IT, përfshirë laptopë, video-projektor, printer multifunksional dhe ekrane projektimi.

Pajisjet janë pjesë e një projekti për të ndihmuar Policinë Kufitare, për të përmirësuar kapacitetet trajnuese dhe për t’u adoptuar me metodat e komunikimit online. Këto pajisje do të shpërndahen në Drejtoritë Vendore për Kufirin dhe Migracionin.

Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë mbështetjen për Policinë e Shtetit, për të mundësuar një sistem menaxhimi të mësimit online, si dhe blerjen e një licence Zoom./atsh