Qeveria s`ka emëruar ende një kryesues të Komisionit për personat e zhdukur

Qeveria s`ka emëruar ende një kryesues të Komisionit për personat e zhdukur

Ish-kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Kosovës, Ramë Manaj ka thënë se aktualisht ky komision ka mbetur pa kryesues.

Manaj në Frontal të T7 ka deklaruar se ky komision ka mbetur ka kryesues tash e disa muaj dhe shton se do ishte mirë që të emërohet dikush sa më parë pasi ka mjaft punë për t’u bërë rreth kësaj çështje.

“Në fakt ligji nuk e specifikon kështu, ligji për të zhdukurit, neni 12 thotë se kryeministri e cakton kryesuesin e komisionit qeveritar por aty nuk përmendet afat mandatar, kjo nuk ka ndodhë që prej vitit 2008. Ka qenë koalicioni PDK-LDK dhe pas prishjes se koalicionit ka vazhduar të ushtroj detyrën e kryesusit të komisionit Prenk Gjetaj deri në shtatorin e vitit të kaluar”, tha Manaj.

Tutje ai tha se nuk dëshiron të lëshohet në komente politike por se e vërteta është e tillë dhe se çështja e të zhdukurve është një nga pasojat më të mëdha të luftës në Kosovë.

“Në shtator të vitit që shkoi kam qenë këshilltar i kryeministrit Hoti, ai me një vendim më ka bart që të ushtrojë punët e kryesuesit të komisionit qeveritar, për katër-pesë muaj. S’ka kërku askush që unë të largohem, vendimi ka qenë i lidhur me mandatin e kryeministrit. Ende nuk është caktu kryesues, mendoj që është mirë që të cakohet dikush sepse nuk është mirë që të mbetet komisioni qeveritar për personat e pagjetur pa kryesues, ka shumë punë që duhet të vazhdohen”, tha Manaj.

“Çështja e të pagjeturve është një proces i dhimbshëm, është ndër pasojat më të mëdha të luftës dhe do të vazhdoj derisa të gjendet edhe personi i fundit. Jo, nuk ka kryesues të këtij komisioni. Nuk do të doja të lëshohesha në komente politike por kjo është e vërteta”, shtoi ai.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti gjatë takimit që zhvilloi me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Burksel, mes tjerash kishte propozuar përjashtimin e kreut të delegacionit serb, Veljko Odaloviq, i cili sipas tij ka marrë pjesë në krime ndaj shqiptarëve.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka thënë Kurti.


MË SHUME NGA Aktuale