Klosi dhe Gjiknuri, fushatë pastrimi në ishullin e Sazanit
Ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe deputeti i Vlorës, Damian Gjiknuri, ishin sot në ishullin e Sazanit për fushatën e pastrimit.
Në aktivitet ra në sy sërish mungesa e kryetarit të bashkisë Dritan Leli, i cili duket i përjashtuar nga çdo aktivitet që lidhet me qytetin.
Gjiknuri duket se është i radhës nga socialistët që sulmon kryetarin e bashkisë Vlorë, ku shprehet se turistët janë të pakënaqur nga puna në qytet, njofton oranews.
“Elementi bazë për shumë turistët dhe në Sazan ka qenë se si të jetë ambienti i pastër, kështu që secili nga ne duhet të japë kontributin e tij dhe kjo e mirëpritur dhe pres që institucionet lokale të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse duhet menduar për një plan menaxhimi në këtë pikëpamje, sepse ishulli është pjesë e Bashkisë së Vlorës dhe e lidhjes së turizmit të Bashkisë prandaj meritohet më shumë vëmendje”, tha Gjiknuri.
Kur u pyet së përse Leli nuk ishte i pranishëm në këtë takim, Gjiknuri tha se krah tij ndodhet zv. kryetarja e Bashkisë, po aq e rëndësishme sa Leli.
“Kemi një zonë të nderuar, zv. kryetaren po aq e rëndësishme dhe shumë institucione që duhet të bëjnë detyrën dhe po e kryejnë në maksimumin e tyre përditë".























