MSH nuk ua vazhdon kontratën 360 infermierëve të financuar nga kredia e BB

MSH nuk ua vazhdon kontratën 360 infermierëve të financuar nga kredia e BB

Rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë si punëtorë shëndetësorë mbështetës për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave Covid në Kosovë.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

Infermierët ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj punë. E MSH i ka njoftuar se këto kontrata nuk do të vazhdohen më.

Gazeta ka siguruar një njoftim të zyrtarit Agim Aliu i cili në emër të Sekretarit të MSH-së Naim Bardiqi, i ka njoftuar infermierët se kontratat e tyre nuk do të vazhdohen. Arsyetimi ka të bëj me mungesën e fondeve.

“…për shkak të mungesës së fondeve nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, kontratat nuk mund të vazhdohen”, thuhet në këtë njoftim.

Infermierët që kanë qenë të punësuar përmes këtij projekti kanë reaguar përmes një letre të cilën ia kanë dërguar ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe sekretarit Bardiqi.

Ata kanë kërkuar që kontratat e tyre të vazhdohen. Sipas tyre nëse MSH ka pasur buxhet për 422 infermierë të punësuar në qendrat e vaksinimit, është dashur të sigurohet buxhet edhe për ta.

“Ne si staf kërkojmë mirëkuptimin dhe shpresojmë ta rishikoni vendimin tuaj dhe nje here sepse ju ne një kohe shume te vështir pandemie po i largoni nga puna 360 punëtore shëndetësor qe ju kanë dal përkrahje ne ditët me te vështira ne përballje me pandeminë globale Covid 19”, thuhet në letrën e infermierëve. /Gazeta Shneta/