IKD reagon ndaj Haxhiut për propozimet e emrave për anëtarë të Komisionit

IKD reagon ndaj Haxhiut për propozimet e emrave për anëtarë të Komisionit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me apostrofimin e IKD-së se në të kaluarën ka bërë propozimin e gjykatësit Albert Zogaj për zëvendës anëtarë të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, ndërsa tani po e kundërshtojnë emërimin e tij për interesa subjektive.

Në një komunikatë thotë se tendenca e ministres Haxhiu për ta arsyetuar me çdo formë shkeljen e ligjit përmes propozimit dhe zgjedhjes së gjykatësit Albert Zogaj në Komisionin për Provimin e Jurisprudencës është e papranueshme për IKD-në.

“Ministrja Haxhiu në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës qëllimshëm ka keqinformuar deputetët dhe publikun, duke ofruar informacion të pasaktë dhe duke shtrembëruar faktet”.

Sipas tyre, tendenca e ministres për të zhvendosur debatin nga vendimi i saj kundërligjshëm dhe njollosjes për shkak të kritikës konstruktive, të cilën IKD ua ka bërë të gjitha pushteteve, përfshirë edhe tani kritikën për Qeverinë Kurti 2, dëshmon qasjen ndryshe që kjo qeveri ka në raport me shoqërinë civile sa kanë qenë në opozitë dhe me të qenurit sot në pushtet.

Në kohën e Qeverisë Kurti 1, kur ishte zgjedhur në postin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sikurse me të gjithë ministrat e Drejtësisë, IKD ka mbajtur takim zyrtar, në të cilin është diskutuar për temat që lidhen me mandatin e Ministrisë.

Ndër të tjera, është diskutuar edhe çështja e anëtarëve të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, për të cilin, me kërkesë të ministres Haxhiu, IKD ka bërë disa rekomandime, bazuar në ekspertizën dhe përvojën që ka për sistemin e drejtësisë, përfshirë propozimin e z. Zogaj për zëvendës të anëtarit të një prej lëndëve në Komisionin për Provim të Jurisprudencës.

Tutje theksohet se ky propozim i IKD-së në atë kohë, nuk ka qenë në kundërshtim me ligjin për këto arsye: Në shkurt 2020, në kohën e Qeverisë Kurti 1, gjykatësi Albert Zogaj nuk ka mbajtur numër të madh të pozitave. I njëjti ka qenë vetëm gjykatës i Gjykatës së Apelit dhe ligjërues në një kolegj privat dhe në Akademi të Drejtësisë si dhe angazhime tjera jo të rregullta.

“Rrethanat që e bëjnë të papërshtatshëm Zogaj për Kryetar të Komisionit, kanë ndodhur në muajin mars të vitit 2021, kur Zogaj emërohet anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në janar të vitit 2021, kur i njëjti, krahas pozitave si gjykatës në Gjykatën Supreme dhe të anëtarit në KGJK, nënshkruan edhe një kontratë punë me një OJQ”, thuhet tutje.

Në mars të 2021, me pranimin e pozitës së anëtarit të KGJK, Zogaj caktohet edhe në këto funksione shtesë:

1. Anëtar rezervë në Komisionin e Përhershëm për Administrimin e Gjykatave,

2. Anëtar i Komisionit Vlerësues për kandidatët për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren dhe

3. Anëtar i grupit punues për hartimin e raportit fakt-mbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore.