Këshilli bashkiak i Vlorës rrëzon Dritan Lelin
Këshilli bashkiak i Vlorës rrëzoi sot kërkesën e kreut të Bashkisë, Dritan Leli, për lirimin nga detyra të sekretarit të Këshillit, Agron Gjepali, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit.
Me 40 pro dhe 2 kundër, Këshilli konfirmoi në detyrë Gjepalin.
Mbledhja e anëtarëve të këshillit u zhvillua në një prej sallave të Universitetit "Ismail Qemali", ku nuk munguan edhe këshilltarët që binin dakord me Lelin.
"Derisa ka mbushur moshën e pensionit, nuk e shoh të arsyeshme këtë mbledhje. Në shkresë nuk përmendet fjala shkarkim" tha një prej këshilltareve.
Kreu i Bashkisë Dritan Leli i priste në një mbledhje online, por në mungesë të këshilltarëve u futën drejtuesit e institucioneve të bashkisë.
Teksa Leli argumentoi se përse Sekretari nuk duhet të vijojë detyrën, paralajmëroi Këshillin të mos marrë vendime të paligjshme.
"Dua të sqaroj opinionin publik, në këtë mbledhje jashtë radhe online, se sekretari i Këshillit Bashkiak, edhe pse i emëruar nga Keshilli i Bashkisë nuk ka statusin e anetarit të këshillit që zgjidhet nga populli. Funksionet e tij janë administrative dhe pozicioni nuk ka mandat kohor. Marrëdhëniet e sekretarit rregullohen nga legjislacioni i punës".
Këshilli nuk duhet të marrë vendime të kundërligjshme. Vendimi i sjellë sot është i pakuptimtë. Shpresa e kryetarit të bashkisë është prodhuar nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore që njofton konform ligjit këshillin bashkiak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës për Gjipalin për përfitim të pensionit të pleqërisë".
Kryetares së këshillit Bashkiak të Vlorës si dhe antarëve të këshillit bashkiak i ka ardhur një kërkesë ditën e djeshme nga bashkia e Vlorës për pezullimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, pasi ai ka mbushur moshën e pensionit.
Shkresa i kërkonte antarëve të Këshillit Bashkiak të Vlorës të zgjedhin një Sekretar të ri të Përgjithshëm.
Anëtarët e këshillit bashkiak të Vlorës e konsiderojnë këtë gjë tendencioze sidomos tani që ka tensione midis palëve.
Sipas tyre këshilli bashkiak i Vlorës është i vetmi institucion i cili mund të shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm dhe të emërojë një të ri.
Këshilli Bashkiak është gjithashtu i vetmi institucion, i cili mund të zgjasë në detyrë Sekretarin e Përgjithshëm apo të emërojë një të ri.
Sipas tyre, Gjipali duhet të qëndrojë në detyrë derisa të gjendet një profesionist i ri që mund ta zëvendesojë dhe jo të pushohet nga detyra menjëherë.
Anëtarët e Këshillit Bashkiak konfirmojnë me anë të votës ku nga 42 antarë 40 kanë votuar pro dhe 2 kundra për vijimin në detyrë të Sekretarit të Përgjithshëm.
Reagimi i kryebashkiakut Leli pas thirrjes së mbledhjes fizikisht nga këshilli
Në përgjigje të mbledhjes jashtë radhe të kërkuar nga këshilltarët socialistë për tu mbajtur sot në ambientet e Universitetit "Ismail Qemali" me pretendimin për shkarkimin e padrejtë të Sekretarit të Këshillit të Bashkisë, Agron Gjipali, Dritan Leli thotë se qëndrimi i tij për të zhvilluar mbledhje në ambiente të mbyllura, pavarësisht emrit, ngelet i njëjtë.
"Theksoj gjithashtu se nuk është bërë asnjë largim nga puna! Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, njësoj si disa kolegë të tjerë që kanë punuar në Bashkinë e Vlorës, gjatë këtyre ditëve, janë njoftuar se kanë plotësuar kushtet për të përfituar pensionin e pleqërisë".
Shkarkimi i Gjipalit është konsideruar nga këshilltarët socialistë një hakmarrje e Lelit kundrejt tyre teksa kanë kërkuar mbledhjen për rikthimin në detyrë të Sekretarit të Këshillit Bashkiak.























