Kryesia e PD-së, Kadilli: Ndryshime në statut për demokratizim të partisë
Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli, në një deklaratë të shkurtër për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD, u shpreh se shpreson që ndryshimet në statut të propozuara prej tij të bëhen realitet që në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë, më 17 korrik.
Ai thekson se “propozuam një manifest politik për ndryshimin e PD-së”.
“Propozuam një dokument politik nga i cili burojnë propozime të rëndësishme për ndryshime statutore, për ndryshime të strukturës dhe sidomos të praktikës dhe sjelljes së PD-së, përfshirë këtu dhe disa nga sfidat kryesore që duhet të ketë partia në legjislaturën në shtator. Është ngritur Komisioni i Ndryshimeve Statutore, i cili do t’i marrë në shqyrtim propozimet që kanë të bëjnë direkt me ndryshimet statusore. Përsa i përket hapësirës për t’u konsideruar dokument politik është një proces që do të kërkojë më tepër kohë, më tepër komunikim dhe bashkëpunim qoftë me kryesinë, qoftë me kryesitë e degëve dhe deri me anëtarësinë deri në Kuvend. Thelbi i propozimeve të mia që një pjesë reflektohen në statut, një pjesë i përkasin sjelljes politike janë të qarta, demokratizim më i thellë i partisë, hapësirë për çdo iniciativë politike, për çdo kauzë që vjen nga grupe të caktuara, rishikimi i raporteve me organizata partnere dhe përcaktimin e kauzave kryesore, rishikimi i Kodit Zgjedhor, Kushtetutës, rishikimi i Ndarjes Territoriale Administrative dhe Reformë në drejtësi. Këto janë çfarë përmban manifesti politik”, theksoi ai./atsh























