‘Plisat’ me mesazh emocionues për Azemin: Legjendat nuk pensionohen!
E nisi në moshë 14-të vjeçare dhe pas 26-të viteve të kontribuara si basketbollist, i dha fund të luajturit basketboll ikona e Prishtinës, Edmon Azemi.
Emocione të mëdha për të gjithë përkrahësit e tij, në momentin që e mësuan lajmin se Edo po largohet nga të luajtrit basketboll, për të mbetur pjesë e klubit si drejtor gjeneral.
40-të vjeçari në konferencë për shtyp nuk mundi t’i ndal lotët, teksa po i jepte lamtumirën basketbollit, madje ai me lot në sy edhe falendëroj të gjithë ata që ishin për të e sidomos tifozat “Plisat”, që nuk kanë pushuar në asnjë ndeshje duke e nderuar emrin e ikonës së tyre, Edmond Azemi.
Ndërsa një mesazh prekës kanë dhënë edhe vet tifozët “Plisat”, ku të cilët me emocione të mëdha e shkruan një shkresë falendërimi për Azemin.
Ata në shkresën e tyre shkruan se një gjë është e sigurtë Edo është legjenda e tyre dhe se legjendat nuk pensionohen.
Postimi i plotë:
I kemi pothuajse 30 vite aktivitet si grup, e mbi X vite aktivitet në rrjete sociale dhe lirisht mund të themi se të pakta janë ngjarjet për të cilat i drejtohemi opinionit me kaq shumë emocione.
Sot po pensionohet Edo! Me këtë fjali do të duhej të kuptoheshin të gjitha emocionet tona dhe arsyeja prapa tyre.
Edo është ai sportisti perfekt, që do ta dëshironte secili klub, i secilës disciplinë sportive, e mbi të gjitha – do t’a adhuronin tribunat!
Në kohët kur i fitonim të gjithë titujt, e lojtarë të ndryshëm nga Kosova e nga e gjithë bota – korrnin lavdinë, në kohën kur ishim në kriza e lojtarët nga Kosova e nga e gjithë bota e braktisnin klubin, në kohët kur ne ishim duke dhënë gjithçka nga vetja nëpër tribuna e rrugë të Prishtinës e qyteteve tjera – ishte vetëm edhe një tjetër që e bënte të njëjtën vetëm se në fushë të lojës – EDO!
Fjalët janë të pakta për të folur gjuhën e zemrës, mirëpo një gjë është lehtë e tregueshme, Edo është legjenda jonë dhe legjendat nuk pensionohen.
Të rinjëve të Prishtinës po u japim një këshillë: Bëhuni si Edo! Besnik ndaj qytetit e të përkushtuar drejt suksesit.
Edo, njerëzit si ti e bëjnë Prishtinën. Njerëzit si ti i nderojnë Plisat! Të duam!























