Osmani përmbyll vizitën në Turqi me një bashkëbisedim me të rinjtë
Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani ka përmbyllur sot vizitën në Turqi ku ka marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias.
Osmani vizitën e saj e kë përmbyllur me një bashkëbisedim me të rinjtë e "ADF Youth",ku ka thënë se investimi më i mirë është investimi në të rinjtë.
"Qëndrimin në Turqi në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias e përmbylla me një bashkëbisedim jashtëzakonisht të këndshëm me të rinjtë e ADF Youth.
Nuk thuhet kot që të rinjtë janë e ardhmja jonë. Në një sallë të mbushur plot, teksa i shihja fytyrat e të rinjve plot shpresë, entuziazëm, kuriozitet e vullnet për të dëgjuar e mësuar, e kuptova edhe njëherë që nëse duam të bëjmë punë vërtet të mira, sytë duhet t’i kemi gjithnjë nga ta dhe se investimi më i mirë është investimi në të rinjtë tanë", ka shkruar Osmani, e cila ka falenderuar "ADF Youth dhe Antalya Diplomacy Forum".
Ajo në fund tha se urat të cilat i ndërtuan këto ditë të shërbejnë për të mirë në kapitujt e ardhshëm të raporteve në mes të vendeve tona, popujve tanë dhe të rinjve tanë.























