Negociatat, Soreca: Hera e parë që të gjithë janë pro Shqipërisë
BKT
Shqipëri

Negociatat, Soreca: Hera e parë që të gjithë janë pro Shqipërisë

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca u shpreh se Shqipëria i ka bërë ‘detyrat e shtëpisë’, por nëse nuk ndahet nga Maqedonia e Veriut duhet të mos humbë kohë për negociatat.

Z. Soreca u shpreh se si asnjëherë më parë, të gjitha vendet anëtare e kanë shprehur qartë mbështetjen për Shqipërinë.

“Nesër është një ditë e rëndësishme. Këshilli do të diskutojë propozimin e Presidencës dhe Komisionit Europian për të hapur negocimin për të dyja shtetet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet i kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli marsin e vitit të shkuar.

Ka një qëllim të qartë të vendeve anëtare; të çojnë bashkërisht përpara të dyja vendet, sepse dimensioni rajonal i zgjerimit është shumë i rëndësishëm. Disa vende anëtare po diskutojnë ende për Maqedoninë e Veriut. Mund t’iu duhet pak më shumë kohë. Besoj se qëllimi është që për momentin vendet të mbahen bashkë.

Theksoj se nesër është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, sepse të gjitha vendet anëtarë e kanë shprehur qartë mbështetjen për Shqipërinë. Kjo është hera e para që ndodh. Holanda, Spanja, Danimarka, Franca, Gjermania, të gjitha vendet thonë se Shqipëria ka përmbushur atë që i është kërkuar”, u shpreh ambasadori Soreca për Euronews Albania.

Teksa përgëzoi sistemin shqiptar për kryerjen e ‘detyrave të shtëpisë’, z. Soreca tha se e rëndësishme është që të mos humbet kohë nga ana e Shqipërisë, ndërsa nënvijëzoi se samiti i tetorit nën Presidencën sllovene është shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor.

“Është e rëndësishme të përgëzojmë sistemin shqiptar si një i plotë për kryerjen e detyrave të shtëpisë. Për tryezën e parë të negocimit puna duhet të vazhdojë, për të dytën, të tretën dhe kështu me radhë. Në fund, nëse nesër nuk ka ndarje, është e rëndësishme mos të humbim kohë. Të sigurohemi se këtë vit është viti i Ballkanit Perëndimor. Nën Presidencën sllovene do të ketë në fillim të tetorit një samit shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme të shkohet në këtë samit me lajme të mira”, tha z. Soreca.

Ndarja e Shqipërisë nga RMV në rrugën e negociatave ka pak gjasa të ndodhë, tha ambasadori, pasi BE dhe vendet anëtare i duan të dy vendet të përparojnë bashkë, por sipas tij zgjerimi është i bazuar në merita.

“Është herët për t’u thënë. Shqipëria ka bërë çfarë i është kërkuar. Maqedonia Veriut po ecën para. BE dhe vendet anëtare i duan të dyja vendet të përparojnë bashkë, sepse dimensioni rajonal është i rëndësishëm. Por zgjerimi është i bazuar dhe në merita. Është e rëndësishme të mos zhgënjehen ata që kanë punuar, që BE të vendosë t’u japë atë që meritojnë”, përfundoi z. Soreca.


MË SHUME NGA Shqipëri