Hoxhaj tregon pse u mor vendimi për zgjedhje të brendshme në PDK

Hoxhaj tregon pse u mor vendimi për zgjedhje të brendshme në PDK

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kanë qenë në pritje të ardhjes së ish-kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, nga Haga për zgjedhje të lidershipit.

Megjithatë, kryesia e PDK’së ka vendosur që të zgjedhet kryesia e re më 3 korrik në kuadër të Konventës zgjedhore.

Hoxhaj, i ftuar në emisionin ‘Pressing’, ka thënë së në debatin që ka pasur me degët e kryesinë qendrore të partisë kanë shprehur nevojën e një kryesie të re.

“Në kuadër të debatit që e kemi pasë për zgjedhjet lokale është menduar se për PDK’në do ishte një ngjarje mobilizuese zgjedhja e një lidershipi të ri. Natyrisht që ne e kemi situatën krejt tjetër, ne nuk kemi mbërri që të marrim vendim menjëherë pas zgjedhjeve qëndrore të themi që ne do ta zgjedhim kryetarin, për shkak të pikënisjes komplet tjetër e PDK’së. Pikënisja tjetër është që kryetari Veseli është në gjykatë, bashkë me ish-kryetarin Thaçi. Kemi pritë që të mbrohen në liri në Kosovë, ky do të ishte një mobilizim i ri për elektoratin e PDK’së”, ka deklaruar ai.

PDK’ja gjatë ditës ka bërë të ditur se në mbledhjen e mbajtur të hënën ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021, ditë e shtunë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë PDK’ja nëpërmjet një komunikate në medie, duke njoftuar se kanë filluar përgatitjet për organizimin e Konventës për zgjedhje të brendshme.

PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit pas dhënies së dorëheqjes të ish kryetarit Kadri Veseli.

Veseli ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së që nga atëherë është Enver Hoxhaj.


MË SHUME NGA Aktuale