KLP pezullon nga detyra prokurorin e Sarandës, në burg për korrupsion

KLP pezullon nga detyra prokurorin e Sarandës, në burg për korrupsion

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Kjo për shkak të masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë me vendimin nr.40, datë 17.06.2021 dhe nr.44, datë 21.06.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Dje Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  vendosi të lërë në burg prokurorin e Sarandës Sali Hasa,  oficerin e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Napolon Hodaj, arbitrin e ndeshjeve të futbollit Qerim Ruçi si dhe dy "sekserët" Julian Zera dhe Emiljano Mirani.

Ndërkohë në arrest shtëpie u la vetëm zyrtari i klubit sportiv SHS “Përmeti”, Bledar Hajredini.

Prokurori i Sarandës Sali Hasa së bashku me oficerin e  policisë gjyqësore është arrestuar me akuzën e korrupsionit. 

Ata akuzohen se kanë pushuar çështjen ndaj një të arrestuari për plagosje, ndërkohë që i njëjti hetim ka dërguar në pranga edhe një arbitër sportiv dhe zyrtarin e klubit të futbollit të Përmetit të akuzuar për trukime ndeshjesh.

I gjithë hetimi ka nisur në vitin 2020, pas përgjimeve të dala nga një tjetër dosje që ishte në hetim në atë kohë ndaj një grupi dyshuar për trafik droge dhe korrupsion tek zyrtarët e drejtësisë.

Bëhet fjalë pikërisht për dosjen ndaj gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, ndërsa përgjimet e kryera nxorën në pah fakte lidhur me prokurorin e Sarandës  Sali Hasa, dhe oficerin e kësaj prokurorie Napolon Hodaj./oranews