Pas Yuri Kim reagon edhe Soreca: KPA ta rihetojë këtë çështje me pavarësi

Pas Yuri Kim reagon edhe Soreca: KPA ta rihetojë këtë çështje me pavarësi

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka reaguar pas ankimit të bërë nga ana e Vëzhguezve Ndërkombëtar të ONM-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit lidhur kreun e prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.

Përmes një postimi në Twitter, Soreca thotë se BE e mbështet plotësisht rekomandimin e ONM-së për riçeljen e hetimeve lidhur me prokuroren e cila u konfirmua në shkallën e parë të vettingut nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ai nxit Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që të shqyrtojë me integritet të gjitha çështjet që ONM ka nënvizuar me problematika për prokuroren Elizabeta Imeraj.

“Ne mbështesim plotësisht rekomandimin e Vëzhguesve Ndërkombëtar për apelin. Ne presim Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që të rihetojë mbi këtë çështje me integritet dhe pavarësi për të siguruar që çdo problem që është evidentuar në rekomandim të merret në shqyrtim” – shkruan Soreca.

Më herët për këtë çështje ka reaguar dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e cila u shpreh se duhet parë me kujdes se çfarë do të ndodhë në këtë çështje pas apelimit. Ajo u shpreh se duhet vëzhguar nëse Imeraj do t’i përgjigjet me fakte ankimimit të ONM-së apo do të sulmojë procesin e vettingut.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i rekomandoi dje Komisionerit Publik të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës.

Në një shkresë e plotë, ONM-ja, i parashtron Komisionerit Publik të gjitha gjetjet mbi Elizabeta Imerajn, që sipas institucionit në fjalë vënë në rrezik besimin e publikut te drejtësia. Mes çështjeve të përmendura në shkresë një vend të bollshëm zë divorci i prokurores me bashkëshortin, i cili konsiderohet nga ONM si fiktiv.

“Është e qartë si kristali për ata pranë Elizabeta Imerajt, dhe cilindo që ka pasur mundësinë për ta takuar, qoftë edhe për një moment, se ajo ka kryer një divorc fiktiv me të bashkëshortin, për ta përdorur me qëllim tejkalimin e problemit përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Ajo u divorcua nga bashkëshorti i saj **** kur kuptoi që as ndërhyrjet nuk po funksionin”, thuhet në konkluzione.

ONM vë gjithashtu në dukje kohëzgjatjen e procedurës së divorcit, duke u shprehur se ka evidenca që procesi u përshpejtua për arsye të jashtme.

“Vendimi mbi divorcin u mor në dhjetor të 2019-ës, që tregon se procedura ishte tejet e shkurtër dhe mund të shihet si evidencë se u përshpejtua për arsye të jashtme dhe jo për faktin se çifti nuk mund të jetonte më me njëri-tjetrin. Në gusht të 2020-ës ONM-ja i kërkoi Gjykatës së rrethit të Tiranës një listë të procedurave të divorcit që ishin mbyllur brenda 2019-ës, me të dhëna të datave të nisjes dhe procedurat përkatëse. Lista iu dërgua ONM-së në shtator 2020. ONM krahasoi kohëzgjatjen e të gjithë procedurave të divorceve, ku në total ishin 1201.

U arrit në përfundimin “Koha mesatare për një procedurë divorci në 2019, në Gjykatën e qarkut të Tiranës ishte 150 ditë. Procedura e divorcit në rastin e subjektes në rivlerësim (Elizabeta Imeraj” mori 43 ditë. Këto numra ndoshta tregojnë për një trajtim preferencial të çështjes në dorë”, thuhet në shkresë.

Po ashtu një tjetër pikë që preket është një shumë që u transferua në llogarinë bankare të Elizabeta Imerajt, 7 muaj pas dakordësisë mes çiftit lidhur me kontributin për fëmijët pas divorcit.

“Në përfundim të gjyqit, të dy palët ranë dakord për të paguar një shumë 20.000 lekë në muaj për një fëmijë. Në korrik të 2020-ës, 7 muaj pas vendimit, kur u bë e qartë se ONM-ja nisi të merret seriozisht me çështjen e saj, një shumë prej 480 000 lekë u transferua në llogarinë bankare të subjektes në rivlerësim (Elizabeta Imeraj). Kjo situatë të çon drejt dyshimeve të forta se nuk ka qenë kurrë objektiv i çiftit pagesa në mënyrë efektive e kontributit për fëmijën, derisa arsyet për divorcin nuk reflektojnë realitetin”, thuhet në shkresë.

ONM rikthen edhe njëherë në vëmendje përballjen e prokurores Imeraj me Vetingun, dhe se si ajo mohoi që ish-bashkëshorti dhe kunati të jenë përfshirë në një rast trafikimi dhe prostitucioni në vitin 2002, në qytetin e Romës.

“Ka indicie të forta se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i Imerajt janë përfshirë në Trafikim qeniesh njerëzore dhe organizim prostitucioni në Romë, Itali, në 2002. Kjo ngre implikime serioze te burimet e tyre financiare. Një marrëdhënie e tillë parashtron shqetësime të rënda, sikundër kontaktet me persona që kenë qenë të përfshirë në krim të organizuar. Këto kontakte e bëjnë të pamundur për subjekten në rivlerësim (Imeraj) për të mbajtur pozicionin e saj duke vënë në rrezik besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Megjithatë në Veting Imeraj pretendoi se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati nuk ishin personat e përfshirë në veprën penale. Megjithatë dy personat pranë saj kanë të njëjtat emra me ata të përfshirë. Madje kunati ka të njëjtën ditëlindje me personin e përfshirë, dhe bashkëshorti ka të njëjtin muaj dhe ditëlindje me personin e përfshirë, me të vetmin ndryshim vitin e lindjes”, thuhet në shkresë.

ONM thekson gjithashtu se prokurorja Imeraj ka shpallur moskompetencë në rrethana të pakuptimta mbi çështje të caktuara, për të cilat nuk është hetuar siç duhet.

“Mbetet e pakuptueshme përse prokurorja Elizabeta Imeraj dhe ***, e cila shpalli vendimin për moskompetencë mbi çështjen), thekson mungesën e evidencave daktiloskopike në lëndën narkotike të sekuestruar”, thuhet në shkresë.   “Pa një hetim të duhur dhe të vazhdueshëm që mund të çonte në grumbullimin e më shumë provave dhe të nxirrte një fajtor potencial për një krime serioz, dhe të nxirrte rolin e **** në aktivitetin e trafikut të drogës”, vijon arsyetimi.