Leli bllokon sërish ballafaqimin me Këshillin Bashkiak

Leli bllokon sërish ballafaqimin me Këshillin Bashkiak

Këshilli Bashkiak i Vlorës nuk ka mundur dot të zhvillojë as këtë të martë mbledhjen e përcaktuar jashtë radhe pak ditë më parë.

Pengesë është bërë sërish kryetari i Bashkisë Dritan Leli.

Ai ka mbyllur edhe një herë derën e teatrit “Petro Marko” me argumentin se shkelej Akti Normativ për grumbullimet në kohën e pandemisë.

Por ky pretendim u hodh poshtë nga anëtarët të cilët për këtë çështje kishin marrë një konfirmim edhe nga kryetarja e Komitetit Teknik të ekspertëve Mira Rakacolli për ta zhvilluar ballafaqimin me kryebashkiakun me prani fizike.

“Ky urdhër nuk cënon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i  mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale. Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distancës, mbajtja e maskës, kushtet higjenosanitare, etj”.

Për anëtarët, ky bllokim i kryetarit të Bashkisë është fshehje nga përgjegjësia për situatën ku ndodhet sot Vlora dhe nëpërmbje e qytetarëve.

“Leli nëpërkëmb Këshillin dhe qytetarët e Vlorës. Leli nuk është në krye të Bashkisë si kandidat i pavarur. Si i zgjedhur i PS ka barrën morale e politike deri ditën e fundit. Leli ka zgjedhur të mbrohet pas ekranit të kompjuterit. Asnjë komunikim në distancë me kryetarin e Bashkisë”.

Anëtarët e Këshillit thonë se do të krijojnë komisione monitorimi mbi administrimin e bashkisë. Me ekspertë të jashtëm do të kryhet edhe një audit i veprimtarisë ekonomike e financiare si dhe do të kontrollohen lejet e ndërtimit dhe apo situata e ndërtimeve të paligjshme./tvklan.al