Çika: Ndarja e Shqipërisë nga RMV e vetmja zgjidhje
BKT
Shqipëri

Çika: Ndarja e Shqipërisë nga RMV e vetmja zgjidhje

Emilio Çika, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se vendimi i marrë dje nga Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE për të mos hapur negociatat për Shqipërinë dhe RMV nuk ishte një vendim i papritur, madje sipas tij, e kundërta do të ishte një surprizë.

Z. Çika theksoi se e vetmja rrugë për të dalë nga ky ngërç është ndarja e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në rrugën e tyre të integrimit, në mënyrë që secili prej vendeve të vlerësohet në bazë të meritës.

Nisur nga zhvillimet e deritanishme, ai u shpreh skeptik se mund të kemi ndonjë zhvillim pozitiv me Presidencën sllovene gjatë këtij viti.

“Ky proces është problematik, zgjidhja është shkëputja e të dyja shteteve në procesin e integrimit. Kjo problematikë duhet tejkaluar, e gjitha shtyhet për Presidencën sllovene, por nuk pres asnjë zhvillim të madh edhe gjatë këtij viti. E shoh të vështirë gjatë Presidencës sllovene. Duhet bërë ndarja e të dyja shteteve për t’u vlerësuar secili sipas meritës”, u shpreh z. Çika për euronews.albania.

Shqipëria nuk arriti dot të merrte një datë për negociatat me Bashkimin Europian nën Presidencën e Portugalisë dhe tani sytë janë drejtuar tek Sllovenia, e cila pritet të marrë drejtimin e Presidencës së Bashkimit Evropian.

Sa i takon Shqipërisë, të gjitha vendet e unionit ishin “pro” mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, përfshirë këtu edhe vendet më skeptike siç ishte Holanda, por mosmarrëveshjet e krijuara mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut frenuan qartazi përpjekjet e vendit tonë që të hapte një kapitull të ri në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 


MË SHUME NGA Shqipëri