Lidhja mes Ulqinit dhe Prishtinës-vëllazërore
Në emisionin Aktual, në RTK, ku mysafir i emisionit ishte Aleksander Duboviq, kryetari i komunës së Ulqinit, u trajtua tema e turizmit në përgjithësi, por edhe e strehimit të popullit të Kosovës gjatë luftës së fundit në veçanti, ku edhe është ngritur një përkujtimore kushtuar aktit humanitar vëllazëror mes shqiptarëve të Ulqinit, e Anamalit dhe të Kosovës.
“Populli i Ulqinit dhe Anamalit ka një lidhje shpirtërore me popullin e Kosovës, ngase, dihet, në Prishtinë bijtë tanë janë shkolluar atje, duke na ndihmuar të ruajmë gjuhën, kulturën, identitetin, sikurse ne iu dolëm në ndihmë në kohën e luftës vëllezërve tanë kosovarë”, deklaroi Aleksandër Duboviq, kryetar i Ulqinit.
Tutje ai shtoi se kontaktet mes nesh janë zgjeruar edhe në fushën e biznesit, turizmit, etj.
Më tej ai shtoi se në kohë pandemie, Ulqini përjetoi një goditje të rëndë ekonomike, ngase, duke qenë të detyruar të mbyllet turizmi, si burim i rëndësishëm ekonomik, kjo ndikoi që të zbulohen edhe disa hapësira të reja në fushën e turizmit, fjala vjen: kanione, male të larta, kryporja etj., që po ndikojnë në zhvillimin e turizmit./RTKLive























