Neuer s’heq dorë nga ngjyrat e ylberit
BKT
Sport

Neuer s’heq dorë nga ngjyrat e ylberit

“Kualifikimi në 1/8-at nuk na mjafton. Do të shkojmë në Wembley për t’u rikthyer aty. Duam të paktën gjysmëfinalet ose finalen. Dhe unë do të vazhdoj të mbaj shiritin me ngjyrat e ylberit”.

Manuel Neuer, kapiten i Gjermanisë, analizon momentin e skuadrës së tij dhe jo vetëm, në vigjilje të sfidës së të martës, kundër Anglisë.

“Kemi shënuar 6 gola në dy ndeshjet e fundit, çka më jep kurajë për sfidën me anglezët, por kemi pësuar 5 në 3 ndeshje. Na duhet më shumë stabilitet, nëse duam të ecim përpara”.

Në Wembley Neuer ka fituar Champions League-n me Bayernin në vitin 2013, por me kombëtaren nuk ka luajtur kurrë aty.

“Do të jetë një përvojë e veçantë, edhe pse nuk do të ketë shumë tifozë gjermanë. Dihet tani që do të jenë tifozët anglezë, rregullat me pandeminë janë këto dhe duhen pranuar”

Kapiteni është kthyer në një simbol në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, që kur veshi shiritin me ngjyrat e ylberit në krah.

“Është një iniciativë e rëndësishme dhe e mbështetur edhe nga publiku. Në të kaluarën, kombëtarja nuk ndërmerrte shumë pozicione politike ose kishte edhe indikacione të përgjithshme për t’u ndjekur. Tani, me rrjetet sociale, çdo individ ka më shumë influencë. Si kombëtare duam të tregojmë se edhe jashtë futbollit ka tema që duhen mbështetur”.

Neuer solidarizohet edhe me lojtarët angleze që, me gjunjëzimin në prag të ndeshjeve, janë protagonistë të një çështjeje edhe më madhore, atë të diskriminimit racial, të frymëzuar nga lëvizja Black Lives Matter.

“Jemi në krahun e tyre, në Bundesligë dhe në kombëtare nuk e kemi këtë tip manifestimi, por flasim për të. Ne jemi kundër çdo forme dhune, diskriminimi apo racizmi. Jemi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndaj dhe do të vazhdoj të mbaj shiritin me ngjyrat e ylberit”.