Deschamps rrezikon shkarkimin, Zidane zëvendësues i mundshëm
BKT
Sport

Deschamps rrezikon shkarkimin, Zidane zëvendësues i mundshëm

Eliminimi i papritur i Francës nga Kampionati Europian, pas humbjes me penallti ndaj Zvicrës në fazën e 1/8-ave, ka bërë që të lëkundet edhe bankina e trajnerit Didier Deschamps.

Mediat franceze kanë nxituar të aludojnë për një shkarkim të trajnerit që shpalli Francën kampione bote më 2018-ën dhe që ka kontratë deri në fund të Botërorit Katar 2022, teksa edhe presidenti i Federatës nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e ndërprerjes së bashkëpunimit me Deschamps.

“Eksperienca më ka mësuar të mos marr asnjëherë vendime të nxituara, ndaj fillimisht do të kthehemi në Francë dhe javën e ardhshme do të kem një takim me Didier. Unë mendoj se organizimi ka qenë ai i duhuri, nëse nuk më ka shpëtuar ndonjë detaj, por për të fituar duhet të jemi të gjithë në të njëjtën linjë. Do të flas me Didier, të bëjmë disa batuta, të qartësojmë disa gjëra dhe në fund sigurisht që do të marr një vendim”, tha kreu i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet.

E ndërkohë që pritet të vendoset e ardhmja e Deschamps, në Francë kanë filluar të lakojnë emrin e Zinedine Zidane si kandidatin për të marrë bankinën e “gjelave”, pasi 49-vjeçari është i papunë aktualisht dhe nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të drejtuar kombëtaren.