ONM "luftë" ndaj prokurorit Hajdarmataj
Një nga përplasjet më të forta duket se ka ndodhur sot mes përfaqësuesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe ish-drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, gjatë procesit të vettingut.
Përfqësuesi i ONM Theo Jacobs, në parashtrimet e tij, ka vënë re se ndërsa rroga i rritej vit pas viti, deklarimet e prokurorit Hajdarmataj kishin qenë të njëjta. Madje pas 2016-ës sipas Jacobs, kanë qenë pothuajse zero.
“Nga fillimi i karrierës në 1997 deri në 2016 keni deklaruar të njëjtat kursime, pavarësisht se rroga juaj rritej, me një vlerë totale 7 milion lekë. Nga 2016 deri tani keni deklaruar pak ose thuajse aspak kursime, me një pagë shumë më të lartë se më përpara. Çfarë keni blerë që e keni fshehur gjatë kësaj periudhe?" tha Jakobs.
Përfaqësuesi i ONM ka patur vërejtje edhe për aftësitë profesionale. "Ndërsa për aftësitë profesionale, ju gjeni gjithmonë një justifikim, dhe doni ta kaloni topin diku tjetër! Por kjo nuk është lojë! Janë qindra kg drogë në mes dhe duhet të hetoni, që t’i gjeni provat. Kjo është për të ardhur turp, në çdo vend të Europës do të hetohej dhe punohej më shumë dhe nuk do kaloj topi diku tjetër", ka thënë Theo Jacobs.
Besim Hajdarmataj ka kaluar me sukses në shkallën e parë të vettingut, pa asnjë kontestim, në të treja shtyllat e hetimit, pasuri, aftësi profesionalen dhe pastërti figure. Mirëpo, pavarësisht rezultateve në KPK, ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili i rekomandoi ankimin Institucionit të Komisionerit Publik
Mësohet se pranë Komisionit dhe ONM-së, janë depozituar disa denoncime nga publiku kundrejt subjektit të rivlerësimit, në të cilat, ndër të tjera, referohen pesë çështje penale, të hetuara respektivisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kohën kur në drejtimin e tyre ishte Besim Hajdarmataj.
Nga hetimi administrativ i Komisionit ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit, herë në cilësinë e prokurorit të çështjes dhe herë si drejtues i Prokurorisë, duket se nuk ka ushtruar si duhet detyrat e tij funksionale./rtsh























