Shtyhet për në 29 korrik gjyqi për dënimin e ish-Kryeprokurorit, Llalla
BKT
Shqipëri

Shtyhet për në 29 korrik gjyqi për dënimin e ish-Kryeprokurorit, Llalla

Në Tiranë u mblodh Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të dëgjuar pretendimet e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla kundër dënimit me 2 vjet burg dhe 5 vjet mosushtrim të funksioneve publike. 

Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla u paraqit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë për të kërkuar anullimin e dënimit me dy vjet burgim.

Por, seanca u shty për në 29 korrik sepse avokati i zotit Llalla, Sokol Hazizaj mungoi dhe gjykata e dënoi me rreth 170 euro.

Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi zotin Llalla me dy vjet burg dhe iu sekuestruan pasuri.

Zotit Llalla iu sekestruan katër sipërfaqe toke ose gjithsej 22 mijë metra katrorë si dhe një apartament në Durrës.

Ish-Kryeprokurorit i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike për pesë vjet.

Akuzat kundër ish-Kryeprokurorit ishin për kryerjen e veprës penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal, por mbeti vetëm ajo për mosdeklarim.

Por, avokati i zotit Llalla, Hazizaj thotë se klienti i tij është i pafajshëm:

“I mbrojturi prej meje shtetasi Adriatik Llalla dukej sikur kishte kryer veprën e mosdeklarimit. Nuk ka se si të ekzistojë te një zyrtar, kur ka qenë edhe 5 vite Drejtues, ose Inspektor i Përgjithshëm dhe për 7 vjet Prokuror i Përgjithshëm, që të mos e deklarojë atë”-raporton korrespondenti ynë Denion Ndrenika, të ketë thënë avokati Hazizaj.

Adriatik Llalla u shpall “i padëshiruar” nga Departamenti i Shtetit për të shkelur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e tij.

Veç zotit Llalla të padëshiruar megjithë familjet janë shpallur ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ish-deputeti Tom Doshi dhe ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha.


MË SHUME NGA Shqipëri