Luis van Gaal gati të kthehet në krye të Holandës

Luis van Gaal gati të kthehet në krye të Holandës

Luis van Gaal për herë të tretë në krye të përfaqësueses holandeze të futbollit. 

Federata e Holandës dhe trajneri 70-vjeçar kanë arritur tashmë marrëveshjen për një bashkëpunim që do të zgjasë deri në vitin 2022. Lajmi u raportua nga tabloidi holandez De Telegraaf, sipas të cilit Van Gaal ka pranuar të drejtojë “Tulipanët” deri në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Deri tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Federata Holandeze e Futbollit, që prej javësh është vënë në kërkim të një trajneri për kombëtaren pas dorëheqjes së Frank de Boer, nën udhëheqjen e të cilit Holanda nuk arriti objektivin në Evropian, ku u eliminua nga Republika Çeke në fazën e 1/8-ave.

“Tulipanët” me de Boer në stol nuk i kanë nisur mirë as eliminatoret e Botërorit, pasi në sfidën e parë u mposhtën 4-2 nga Turqia. Një tjetër disfatë e mundshme ndaj Norvegjisë, në ndeshjen e radhës në shtator, do ta vinte në dyshim serioz kualifikimin në eventin madhor të futbollit, që do të zhvillohet në vendin aziatik.

Van Gaal e ka udhëhequr Holandën edhe dy here të tjera. Vlen të kujtohet sidomos përvoja e dytë e tij, pasi i çoi “Tulipanët” deri në gjysmëfinale të Botërorit 2016 (u renditën të tretët).

Në janar të vitit 2017, pas përfundimit të përvojës në krye të Manchester United, van Gaal, i cili në karrierën e tij ka drejtuar ekipe të tjera të mëdha si Ajax, Barcelona dhe Bayern deklaroi se tërhiqej nga trajningu, por mundësia për të kontribuar për kombëtaren duket se e ka tunduar që të veshë sërish tutat e trajnerit.