Zjarrfikësit e Komunës së Prishtinës paralajmërojnë protesta
BKT
Lajme

Zjarrfikësit e Komunës së Prishtinës paralajmërojnë protesta

Albulena Bytyqi, Radio Kosova

Zjarrfikësit e Komunës së Prishtinës paralajmërojnë protesta nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, të cilat i kanë adresuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhur me kushtet e punës. Kështu thanë për Radio Kosovën zyrtarët e këtij institucioni.

Brigada e zjarrfikësve në Komunën e Prishtinës përveç me zjarret, vazhdon të ballafaqohet edhe me mungesa të shumta që po e pengojnë edhe efikasitetin e tyre në punë.

Ata thonë se për vite të tëra po ballafaqohen  me kushte të vështira të punës, numër të pamjaftueshëm të punëtorëve si dhe statusin e pazgjidhur të tyre. Kështu i tha Radio Kosovës  Latif  Zeka, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.  

Kushtet e punës aspak s’janë përmirësuar deri më tani, premtime kemi që do të përmirësohet,që do të zgjidhet statuti i zjarrfikësve por ende nuk ka ndonjë zgjidhje për këto probleme. Numri i zjarrfikësve po zvogëlohet, punët po shkojnë duke u shtuar. Vetëm brenda gjashtë mujorit të parë i kemi kryer 822  intervenime në Brigadën e Zjarrfikësve të Prishtinës.

Kryetari i Sindikatës të Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka,  tha se gjatë kësaj jave kanë pasur një takim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku i kanë adresuar kërkesat e tyre të shumta lidhur me punën e zjarrfikësve dhe po presin që të reflektojnë pozitivisht karshi kësaj situate, në të kundërtën do të dalin me protesta.    

Zjarrfikësit këtë gjendje nuk mund ta përballojnë më dhe nëse nuk reflektojnë pozitivisht, edhe ne si sindikatë e kemi të vështirë,nuk kemi çka t’u themi  punëtorëve më. Qe dymbëdhjetë vjet e njëjta situatë, vetëm premtime, dhe nëse nuk reflektojnë pozitivisht, zjarrfikësit do dalin në protestë.

Përkundër vështirësive në punë,  vetëm në gjashtë mujorin e parë Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë i kanë pasur mbi 822 intervenime.


MË SHUME NGA Lajme