Erdogan synon përmes Kosovës të rregullojë marrëdhëniet me Perëndimin
Si një prej arsyeve të paralajmërimit të fushatës për njohjen e Kosovës nga Erdogan, analisti politik Firat Hamdi e thekson edhe tentimin e tij “për të kuruar marrëdhëniet e luhatura me Perëndimin”.
Viteve të fundit, për sa i përket çështjes së Kosovës, Erdogan ka qenë “i qetë”, vlerëson Hamdi.
Bashkimi Evropian është ndërmjetësues në dialogun e Kosovës me Serbinë, në të cilin, si qëllim të fundit e pret arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.
Viteve të fundit, për sa i përket çështjes së Kosovës, Erdogan ka qenë “i qetë”, vlerëson Hamdi.
“Kjo ka ndodhur për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë, por Erdogan, gjithashtu, ka dashur që t’i intensifikojë marrëdhëniet e tij me Moskën. Turqia ka blerë nga Rusia sistemin raketor S-400”, kujton Hamdi.
Për shkak të këtij veprimi, Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj Ankarasë, ndërkaq që Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland ka deklaruar më 21 korrik se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i vendosur që të mos i heq ato sanksione.
Nuland ka thënë se Biden mund të vendosë sanksione të tjera në rast se Turqia vazhdon të blejë armatim nga Rusia.
Kontesti rreth blerjes së sistemit mbrojtës rus S-400, kritikat e Shtëpisë së Bardhë për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi, si dhe situata në Siri, janë vetëm disa nga pikat e kontestit ndërmjet Uashingtonit dhe Ankarasë.























