Zv.ministri i Mbrojtjes sot në SPAK
BKT
Shqipëri

Zv.ministri i Mbrojtjes sot në SPAK

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, është thirrur sot të dëshmojë në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion rreth deklaratave të tij për kapje të financave publike nga krimi i organizuar në Fier.

Rreth 10 ditë më parë Koçi u shpreh në rrjetet sociale se persona me të shkuar kriminale po pastrojnë para përmes tenderëve publikë në Fier duke kërcënuar nëpunës dhe subjektet konkurrente.

Zëvendësministri i shpjegoi denoncimet e tij në një intervistë për Euronews Albania ku tha se krimi i organizuar është konsoliduar ndër vite dhe tashmë ka nisur të legalizojë biznese në ndërtim ku pastrohen para të narkotrafikut.

“Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tenderë publike,” – pati shkruar në Facebook Koçi.

“Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit,” – ka shpjeguar ai.

Denoncimi publik i zv.ministrit të Mbrojtjes u bë më 16 korrik, 10 ditë pasi SPAK arrestoi kreun e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe bashkë me disa zyrtarë të tjerë për abuzime me tenderët.


MË SHUME NGA Shqipëri