Delta në Shqipëri,Komiteti Teknik i Ekspertëve:Masat kufizuese s’ndryshojnë
Komiteti Teknik i Ekspertëve sot vendosi lënien në fuqi të masave ekzistuese, edhe pas konfirmimit të pranisë së variantit Delta në Shqipëri.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha se ka rritje të lehtë të numrit të rasteve, por masat për të vazhduar për ta mbajtur situatën nën kontroll do të jenë po ato që kanë qenë më parë.
Ajo u shpreh se, pavarësisht faktit se varianti i ri Delta ka një infektueshmëri më të lartë, mbrojtja ndaj tij është e njëjtë me të gjithë variantet e tjera.
“Ne mund të mbrohemi duke zbatuar me rigorizitet ato masa që janë përcaktuar nga ekspertët tanë, si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, që tashmë fatkeqësisht nuk po vihet re, në aeroporte, qendra tregtare, ndalimi i grumbullimeve më të mëdha sesa ato të rekomanduara nga mbledhja e 20 prillit dhe vazhdimi i orës policore nga ora 24:00-06:00, si dhe orari i muzikës deri në 23:00”, tha ajo.
Rakacolli u bëri apel të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç të paraqiten pranë qendrave të vaksinimit vetëm me kartën e identitetit.
Masat që janë në fuqi:
– Ora policore nga ora 24:00 – 06:00;
– Orari për muzikën deri në 23:00;
– Lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30 %, sipas protokollit të ISHP;
– Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri në 30 % të spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP./atsh























