Meta vlerëson pesë atdhetarë të shquar nga Lugina e Preshevës

Meta vlerëson pesë atdhetarë të shquar nga Lugina e Preshevës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nderoi me anë të një ceremonie solemne, pesë veprimtarë të shquar atdhetarë nga Nishi, Medvegja, Presheva dhe Bujanovci, për kontributet e tyre të shquara patriotike për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe lartësimin e vlerave tona më të mira kombëtare.

Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Kryetari i Shtetit vlerësoi Ridvan Qazimin (pas vdekjes), me motivacionin: “Me nderim dhe respekt të veçantë për jetën, veprën e paharruar dhe kontributet e çmuara atdhetare si luftëtar i orëve të para për liri në Luginën e Preshevës, dhe si organizator, prijës dhe frymëzues në rrugën e lirisë dhe fitimit të drejtave të pamohueshme të shqiptarëve”.

Me Dekoratën “Nderi i Kombit” u nderua profesori Ahmet Gashi (pas vdekjes) “Në vlerësim të lartë shtetëror për jetën dhe veprën e tij voluminoze intelektuale dhe atdhetare në shërbim të shqiptarizmës. Me mirënjohje për kontributet e çmuara si mësues i paharruar, studiues i mirëfilltë dhe shkencëtar i rrallë gjeografie, i cili ruajti me fanatizëm, pasuroi ndjeshëm dhe u transmetoi me atdhedashuri dhe përpikëri brezave të panumërt në të gjitha trevat e banuara prej shqiptarëve, jo vetëm dijet e tij të kalibrit botëror, por edhe hartën e paçmuar ‘Shqipnija e Vërtetë.’”;

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Presidenti Meta çmoi Ibrahim Kelmendin (pas vdekjes) “Me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në organizimin e rezistencës së popullit tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore; për ruajtjen e qenies dhe identitetit tonë kombëtar në Luginën e Preshevës, si dhe për kontributin e çmuar të dhënë në fushën e arsimit dhe të ndriçimit të historisë sonë kombëtare.”;

si dhe Llukman Halilin (pas vdekjes) “Në vlerësim të jetës dhe veprës së tij atdhetare shumëvjeçare si dhe me mirënjohje ndaj kontributeve të vyera intelektuale si gazetar profesionist, politolog, studiues dhe publicist, i cili nuk reshti së pasqyruari me vërtetësi dhe paanshmëri ngjarjet e rëndësishme dhe vendimtare historike të dekadave të fundit, që përcaktuan fatet e kombit shqiptar në të dyja anët e kufirit dhe në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët”.

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” Kreu i Shtetit dekoroi Bafti Krasniqin (pas vdekjes): “Me mirënjohje për jetën dhe veprën e tij atdhetare, si mësues dhe aktivist i palodhur, i cili u përpoq pareshtur për arsimin shqip, ruajti me besnikëri, pasuroi pa u lodhur dhe u mëkoi me dashuri brezave të tërë shqiptarësh gjuhën tonë të bukur amtare si dhe virtytet më të mira të kombit shqiptar në trevën e Komunës së Medvegjës”.

Në fjalën e rastit drejtuar familjarëve të personaliteteve të vlerësuara dhe të pranishmëve të shumtë nga Lugina, Presidenti Meta u shpreh se Këto personalitete kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë, kulturën, shkencën dhe trashëgiminë e kombit tonë.

FJALA E PLOTË
“Mirë se keni ardhur sot në këtë ceremoni domethënëse dhe të veçantë, ku jemi mbledhur për të vlerësuar dhe nderuar personalitete të shquara të trungut tonë mbarëkombëtar, nga Leskovci, Medvegja, Bujanovci dhe Presheva.
Këto personalitete kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë, kulturën, shkencën dhe trashëgiminë e kombit tonë.
Akademikë me vlera të njohura edhe në botë, shkencëtarë, mësues, patriotë dhe luftëtarë të paepur për çështjen kombëtare dhe gazetarë të shquar.
Të gjitha këto personalitete, të lindur në trojet tona shqiptare që kanë vuajtur më shumë, por edhe që kanë dhënë edhe më tepër në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Profesor Ahmet Gashi, një luftëtar i orëve të para për liri, dije, arsimim dhe emancipim të kombit tonë. Si student i histori-gjeografisë në Stamboll, ai pati si prijës dhe bashkëveprimtar të çështjes kombëtare Vëllezërit Frashëri, Pashko Vasën, Hasan Tahsinin, Ibrahim Temon dhe shumë patriotë të tjerë të kohës.
Prandaj, jo rastësisht Profesor Ahmet Gashi u gjend si veprimtar tepër i rëndësishëm mes shumë atdhetarëve të tjerë shqiptarë në Kongresin e Manastirit.

Po kështu, ai dha një kontribut të veçantë gjatë kryengritjes antiosmane të vitit 1911 në Kosovë.
Me shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, Profesor Ahmet Gashi ishte këshilltari dhe bashkëpunëtori personal i Isa Boletinit.
Në vitin 1913 fillon punë në ‘Normalen e Elbasanit’ dhe u bë një nga korifenjtë e arsimit në shkollën shqipe të kohës, duke qenë për mbi dy dekada mësues, nëndrejtor dhe drejtor i ‘Normales së Elbasanit’.

Profesor Gashi ishte bashkëthemelues dhe drejtues i të parit Kongres Arsimor të Lushnjës, të mbajtur në gusht 1920, duke bashkëpunuar ngushtë me personalitete të kohës si: Sotir Peçi, Aleksandër Xhuvani, Ilo Dilo Sheperi, etj.
Për një periudhë gati dhjetëvjeçare ishte mësues dhe drejtues i Institutit ‘Nëna Mbretëreshë’ në Tiranë dhe gjatë kësaj kohe, u angazhua shumë edhe për botimin e ‘Revistës Pedagogjike’.

Por, puna e tij kolosale kishte të bënte me botimet e teksteve shkollore të historisë së Shqipërisë të të gjitha epokave, si dhe të teksteve shkollore të gjeografisë së përgjithshme, fizike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe të mbarë trojeve shqiptare, për të gjitha shkollat e mesme.
Puna e Profesor Ahmet Gashit u kurorëzua me përgatitjen dhe botimin e Hartës: ‘Shqipnija e vërtetë’, siç e quante vetë Prof. Ahmet Gashi me thënien e tij të famshme: ‘Aty ku ujit i thuhet ‘ujë’ dhe bukës i thuhet ‘bukë’, aty është Shqypnia’.
Profesor Ahmet Gashi ishte që në atë kohë anëtar i shoqërisë më të rëndësishme në botë të gjeografëve me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Shoqërisë Shkencore ‘National Geographic’.
Profesor Gashi dha një kontribut të madh në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, duke drejtuar edhe vetë institucione të tjera arsimore si Gjimnazi ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë.

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, Profesor Ahmet Gashi rikthehet në Tiranë për të vazhduar punët, që kishte lënë përgjysmë.

Por, për shkak të angazhimit të tij të sinqertë patriotik dhe njëkohësisht vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri në atë kohë, ai natyrisht, që nuk shikohej me sy të mirë.

Për shkak të reputacionit ndërkombëtar dhe mbarëshqiptar si studiues dhe intelektual i madh, pushteti komunist i kohës u kujdes që mos ta keqtrajtonte publikisht Profesor Ahmet Gashin, ndonëse tekstet e tij autoriale u hoqën nga qarkullimi dhe u zëvendësuan me ato komuniste.
Fatin e tij, pushteti ia la në dorë harresës së imponuar dhe kohës biologjike, por statusi intelektual i tij mbeti i paprekur dhe u respektua nga brezat e mëpasshëm.
Pavarësisht moshës së thyer, Profesor Ahmet Gashi nuk i ndërpreu hulumtimet dhe studimet në fushat e preferuara të shkencës, deri sa ndërroi jetë në shtator të vitit 1977 në Tiranë.

Vepra dhe jeta e Profesor Ahmet Gashit, pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri dhe pas Pavarësisë së Kosovës, është vlerësuar me vendosjen e emrit të tij rrugëve dhe shkollave në Tiranë dhe në Prishtinë, ndaj sot kam kënaqësinë dhe privilegjin, që këtë rilindas, ta vlerësoj me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.
Profesor Ibrahim Kelmendi, emrin e të cilit me shumë krenari e mban ‘Gjimnazi i Preshevës’, ishte bashkëveprimtar i Profesor Ahmet Gashit në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë.

Në fund vitin 1944, ai u kthye në Preshevë për të organizuar dhe udhëhequr popullatën shqiptare të Kosovës lindore, në ruajtjen e trojeve etnike nga masakrat, që po bënin sllavo-komunistët dhe fashistët bullgarë.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, u detyrua të ikte nga Presheva në Melburn të Australisë ku edhe ndërroi jetë në vitin 1979.
Profesor Kelmendi ishte njëri nga intelektualët dhe shkencëtarët e parë të Kosovës, i cili punoi me studimet shkencore nga fusha e historisë kombëtare, që nga periudha e parahistorisë dhe deri në kohët bashkëkohore.

Polemizues i rrallë për kohën dhe tepër dinjitoz, me autorët serbë të historisë për çështjen e Kosovës, për prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të drejtat e mohuara të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Me krenari të ligjshme, Ibrahim Kelmendi si historian, mësues, luftëtar me armë në dorë dhe patriot, i bëri vend vetes në historinë e kombit tonë dhe me të drejtë sot e vlerësojmë me Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Bafti Krasniqi, mësuesi nga Medvegja, i cili u rrit dhe u edukua nën frymën e Profesor Ahmet Gashit dhe Ibrahim Kelmendit, dha një kontribut të veçantë në mbrojtje të gjuhës shqipe, ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në Medvegjë.

Përveç këtij kontributi të veçantë në arsimimin e brezave të shumtë të rinjve të Medvegjës, një meritë të vyer, zoti Krasniqi e ka në shkurtimin e mbiemrave dhe kthimin e tyre në gjuhën shqipe, pasi shumicës së shqiptarëve të Medvegjës, pushteti jugosllav iu kishte imponuar në mbiemra prapashtesën ‘viç’, për ta bërë pikërisht më të lehtë asimilimin e shqiptarëve në boshnjakë dhe kombësi të tjera jo shqiptare.

Për të gjithë kontributin e tij arsimor dhe patriotik, mësuesin medvegjas Bafti Krasniqi, kam kënaqësinë që ta nderojmë sot me Titullin e lartë ‘Naim Frashëri’.
Ridvan Qazimi ose Komandant Lleshi, i brymosur me atdhedashuri nga familja dhe rrethi ku u rrit në Ternovcë të Bujanovcit, me fillimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu bashkëngjit asaj duke marrë pjesë në beteja të shumta për lirinë e Kosovës.

Me mbarimin e luftës në Kosovë, forca të shumta ushtarake serbe të mllefosur nga humbja e luftës, u stacionuan në Luginën e Preshevës dhe në shenjë hakmarrje, ushtruan dhunë të paparë në Karadakun e Preshevës, dëbuan popullatën shqiptare nga Malësia e Bujanovcit, kurse Medvegjën e zbrazën pothuajse në tërësi.

Për të mbrojtur popullsinë e pafajshme në këto zona, ndër të parët doli në ballë Ridvan Qazimi, i njohur si Komandant Lleshi.
Ai, së bashku me 29 dëshmorë të tjerë të kombit, dhanë jetën e tyre në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe me sakrificën e tyre më sublime, arritën që ta ngrenë deri në kancelaritë euro-amerikane dhe në selinë e NATO-s problemin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Për të gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij deri në flijim, kam nderin edhe privilegjin që ta dekoroj Komandant Lleshin me vlerësimin e lartë ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’.

Një personalitet tjetër i veçantë, të cilin vlerësojmë sot është gazetari dhe intelektuali i mirënjohur Llukman Halili.
Llukman Halili ishte nga gazetarët e parë nga Kosova, i cili erdhi në Shqipëri në hapat e parë të ndryshimeve demokratike.

Ai ishte një pasqyrues i denjë i të gjithë asaj, që po ndodhte në Shqipëri, duke shkruar dhe raportuar jo vetëm në shtypin e Kosovës, por kryesisht në atë kroat dhe në atë ndërkombëtar.
Të gjithë Lëvizjen Studentore në Dhjetor-Shkurt 1990-1991 dhe ndryshimet demokratike në Shqipëri, Llukman Halili i ka pasqyruar në librin e tij, që është nga pikat kryesore të referencës për studiuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të asaj periudhe që ka kaluar Shqipëria.

Si vrojtues i vëmendshëm i ngjarjeve dhe ndryshimeve të mëdha në Poloni, mik me Leh Valesën, drejtuesin e Lëvizjes ‘Solidarnosht’, si dhe si gazetari i parë profesionist në Radio-Televizionin e Prishtinës, i cili u mor me analizat e situatës ndërkombëtare dhe lëvizjet antikomuniste, që po ndodhnin në Europën Lindore, Llukman Halili u bë pikë reference e të rinjve, të cilët me endje prisnin të dëgjonin analizat e tij për situatën politike ndërkombëtare.

Për të gjithë veprimtarinë e gjerë gazetareske, publicistike, atdhetare dhe humanitare, gjatë jetës së tij, duke punuar kryesisht jashtë trungut të Atdheut, por gjithmonë për Atdheun, si dhe për frymëzimin e brezave të rinj të gazetarëve se si duhet të punohet me profesionalizëm dhe përkushtim për të vërtetën dhe të mirën e kombit dhe të njerëzimit në përgjithësi, sot Llukman Halilin kam kënaqësinë ta vlerësojmë me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Është në nderin tonë të kujtojmë, nderojmë dhe vlerësojmë të gjitha ato personalitete, të cilat bënë të mundur, që kombi ynë të mbijetojë, jo vetëm kaq po të jetë edhe krenar për arritjet e tij.

Zoti e bekoftë kombin tonë!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që jetojnë, në trojet e tyre dhe në mbarë botën!”/bw