Qeveria i kalon sërish pronën e teatrit Bashkisë së Tiranës, por me kushte
Qeveria nuk ka pritur që të mbushet një muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por ditën e fundit të punës të muajit korrik në një mbledhje të drejtuar nga zëvendëskryeministri Erjon Braçe, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i kalon Bashkisë së Tiranës prona e Teatrit Kombëtar.
Në vendim thuhet se Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë, apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
VENDIMI
Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë nr.1/241, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2 , me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë, apo t’ua japë të tretëve në përdorim. Pasuria e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të qarkut të Tiranës”, të ndryshuar. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
REAGIMI
Ndërkohë, pas vendimit të Këshillit të Ministrave me në krye zëvendëskryeministrin Erjon Braçe, ka reaguar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj. Nga Tokio, Erion Veliaj, u shpreh gjatë një interviste për “News 24” se, vendimi është korrektuar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kryebashkiaku sqaron se vendimi i Këshillit të Ministrave nuk bie ndesh me atë të Gjykatës Kushtetuese. “Është reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta bërë siç duhet VKM-në e Teatrit, duke qenë se teatri i vjetër fizikisht nuk ekziston është vetëm trualli ai që kalon dhe jo trualli me një ndërtesë që tani nuk ekziston më. Është korrektuar si- pas Gjykatës Kushtetuese kalimi i pronës te Bashkia e Tiranës që na mundëson të vazhdojmë me procedurat për ndërtimin e Teatrit.
Nuk bien ndesh me njëra-tjetrën vendimet e qeverisë me vendimin e Gjykatës Kush- tetuese. Meqë jemi në Tokio, ajo që kam kuptuar në vende të tilla është që kombet ecin përpara kur nuk bllokohen projektet e mëdha. Stadiumi këtu nuk është aq ndryshëm apo më i madh dhe më i bukur se Arena Kombëtare. Diferenca është që ne i bëjmë ndryshimet me shumë dhimbje. Stadiume si ky bëjmë dhe ne, e kemi bërë në Tiranë”, tha Veliaj. Por nga ana tjetër, për demokratët vendimi i qeverisë për truallin e teatrit konfirmon arrogancën e Kryeministrit Rama.
Sipas deputetes së zgjedhur Albana Vokshi, vendimi i qeverisë është kundër vendimit të Kushtetueses, por sipas saj, kjo gjë nuk është në interesin e Kryeministrit. “Vendimi i qeverisë për të kaluar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës është një akt tjetër poshtërues për qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese. Vendi- mi i pak javëve më parë nga Gjykata Kushtetuese thotë qartë se vendimi i qeverisë i një viti më parë për të kaluar Teatrin në pronësi të Bashkisë së Tiranës ishte anti- kushtetues, në dëm të trashëgimisë kulturore kombëtare.
Vendimi do të thotë se Edi Rama nuk pyet për institucionet e reja të drejtësisë, kur vendimet e tyre pengojnë planet e tij korruptive me tokën e Teatrit Kombëtar. PD-ja e ka thënë që prej ditës së parë se Edi Ramës, nuk i intereson një Teatër i ri Kombëtar, por vetëm trualli i tij, të cilin e sheh si burim për të përfituar para dhe pasuri të paligjshme”, shkroi Vokshi./panorama























