Ushtria në Shqipëri nxjerr trupat dhe mjetet për të shuar zjarret
BKT
Shqipëri

Ushtria në Shqipëri nxjerr trupat dhe mjetet për të shuar zjarret

Ushtria në Shqipëri nxorri trupat dhe mjetet për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë vendin për shkak të temperaturave të larta dhe zjarrvënieve të dyshuara si të qëllimta.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete, 3 helikopterë, zjarrfikëse dhe autoambulanca janë angazhuar prej orëve të para të mëngjesit në operacionin për shuarjen e flakëve në gadishullin e Karaburunit në Vlorë. 

Ministri Niko Peleshi e quajti serioze dhe kritike gjendjen në Karaburun, ndërkohë që flakët kanë vijuar të jenë aktive përgjatë natës, duke u kthyer në rrezik për banorët e fshatit Dukat të Vlorës.

Ndërkohë që punohet për të shuar zjarrin në zonën e Dukatit, trupa të tjerë ushtarakë janë transportuar me helikopter në qafën e Sherikut në Karaburun, në lartësinë 1200 m mbi nivelin e detit për të neutralizuar edhe vatrat atje që janë kërcënim për parkun e Llogarasë.

Aksioni, siç raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika, referuar ministrisë së Mbrojtjes, po vijon prej orësh nga toka dhe nga ajri për të vënë nën kontroll flakët.

Shqetësim gjithashtu përbëjnë zjarret në një tjetër zonë, përkatësisht në veriun e Shqipërisë ku ka vatra aktive.

Në fshatin Cukal të njësisë administrative Shllak në bashkinë e Vaut të Dejës pranë Shkodrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. 

Shërbimi vendor në Vaun e Dejës ndodhet në vendngjarje dhe po punon për shuarjen e flakëve.

Për të zbritur rishtaz në jug, po luftohet kundër zjarreve në fshatin Qesorat, të njësisë administrative Lunxhëri në bashkinë e Gjirokastrës.

Në këtë fshat janë nxjerrë në ndihmë të autoriteteve vendore dhe shërbimit të zjarrfikëses 20 ushtarë të Forcave të Armatosura.

Sakaq, kryeministri Edi Rama tha se “angazhimi disaditor për shuarjen e zjarreve në Karaburun dhe jo vetëm, nga Forcat e Ushtrisë dhe trupat Rangers në terren meriton respekt e inkurajim, në një kohë kur shumë vende po përballen me kërcënimin e zjarreve”.


MË SHUME NGA Shqipëri