Rrezikohet nga zjarri Baza Ushtarake Detare e Pashalimanit në Vlorë
Shqipëria vazhdon luftën për shuarjen e zjarreve në sipërfaqe të mëdha pyjore, gjë që nxiti Bashkimin Europian të aktivizojë mekanizmin e mbrojtjes civile.
Rrezik kishte zjarri në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit në Vlorë, por ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se gjendja është qetë. Ministri shtoi se ka dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme përveç kushteve atmosferike.
Bashkimi Europian njoftoi se aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, si dhe Maqedonisë Veriore, Italisë dhe Greqisë në luftën e vështirë të përballimit të zjarreve që kanë përfshirë territore të mëdha.
Ndihma e Bashkimit Europian për Shqipërinë është me dy helikopterë, ndërkohë që vetëm Holanda besohet se do të dërgojë katër sosh, por ende pa u konfirmuar.
Dy helikopterët për Shqipërinë do të dërgohen nga Republika Çeke dhe nga Holanda për të mbështetur operacionet në terren.
Shqipëria ka 1 jetë të humbur nga zjarret që kanë përfshirë 10 nga 12 qarqet, që janë ndarje administrative vendore, raporton korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.
Zonat tepër të rrezikshme dhe me rindezje të zjarreve janë në Vlorë, Gjirokastër dhe Kurbin pothuajse prej dhjetë ditësh.
Ndërkaq, më shumë se pesëqind trupa të ushtrisë dhe mjete të Forcave të Armatosura janë përfshirë në operacionet e shuarjes së flakëve.
Zjarret janë shfaqur nga temperaturat e larta si dhe nga shtetas të dyshuar me qëllim të përfitimit të kullotave të bagëtive.
Të paktën pesë shtetas janë arrestuar apo shoqëruar nga policia për zjarrëvënie të qëllimshme. Si dhe Gjirokastra, Vlora është qarku ku zjarret thuajse nuk po mund të shuhen në gadishullin e Karaburnit, pranë Parkut Kombëtar të Llogarassë, Dukat dhe deri në Himarë e Sarandë.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka qenë në vazhdimësi në Vlorë, ndonëse duke u shfaqur më i qetë, por duke pranuar rrezikun e madh që përfshi ptrej zjarreve Bazën Ushtarake Detare të NATO-s, në Pashaliman:
“I kemi të forta dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme, shtuar kushtet atmosferike. Tani që flasim vatrat janë fikur. Në Vlorë kishim dislokuar një numër shumë të madh trupash në Bazën Ushtarake të Pashalimanit, edhe zjarrfikëse, që vepruan menjëherë edhe është shmangur më e keqja. Është fikur zjarri”, deklaron Niko Peleshi.
Zyrtarët e shtetit dhe opozita e kanë falenderuar Brukselin për dërgimin e ndihmës me dy helikopterë.























