SHBA: Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve e të fuqishmëve kanë mbaruar
Zëvendësambasadori i ri amerikan në Tiranë, Damien Smith, tha se Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe se reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë, por po jep rezultate.
Mesazhi i parë i zotit Smith, një shqipfolës i mirë, një javë pas mbërritjes në detyrën e re në Tiranë, Tiranë ishte tepër i qartë: “BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë.
Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar”.
Zoti Smith i bëri komentet në ceremoninë e përfundimit të trajnimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (FBI) me Kandidatët për Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri, raporton korrespondenti i RTK-së në Shqipëri, Denion Knid Ndrenika.
“Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë”-u tha zëvendësambasadori Smith drejtuesve të SPAK-ut, Arben Kraja, BKH-së, Aida Hajnaj, kandidatëve dhe familjarëve.
Kandidatët morën certifikatën e diplomimit për të qenë hetues të BKH-së, përkatësisht 27 nga 700 që ia dolën mbanë dhe siç u tha zoti Smith “jeni më të mirët e më të mirëve”: “Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit.
I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”-tha zoti Smith.























