Intervistë me kandidatin socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz
Sharr Travel

Intervistë me kandidatin socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz

Kandidati socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz, tha për DW se është i kënaqur që të gjitha partitë e tjera kanë bërë të qartë se nuk do të krijojnë qeveri me partinë e ekstremit të djathtë AfD.

Kandidati për kancelar i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD), Olaf Scholz, në një intervistë për DW tha se është i gatshëm të marrë përsipër drejtimin e një koalicioni tresh, mes SPD-së, partisë E Majta dhe me të Gjelbrit.

Scholz shtoi se është „i kënaqur që jo vetëm ai dhe SPD por edhe partitë e tjera kanë bërë të qartë se nuk do të krijojnë qeveri me ndihmën e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AfD.” Scholz beson që partitë "CDU / CSU do të kalojnë në opozitë për t'u çlodhur, sepse ato nuk kanë plane të sakta për të ardhmen sepse edhe lobiistët kanë fituar shumë pushtet mbi këto parti, gjë që nuk është e mirë për vendin tonë.”

Parime të qarta

Scholz tha se si kandidat për kancelar është e rëndësishme që të kesh parime të qarta. Duke folur për parimet e tij ai tha: ”Unë jam shumë i angazhuar ndaj përgjegjësisë së Gjermanisë brenda kuadrit të partneritetit transatlantiktë NATO-s dhe besoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që Evropa të jetë e fortë dhe sovrane dhe se ne mund të japim kontributin tonë si një vend i madh në mes të Bashkimit Evropian.”

Kandidati socialdemokrat tha se synon sigurisht që ekonomia në Gjermani të jetë solide, e qëndrueshme dhe të ketë stabilitet si kur bëhet fjalë për buxhetin federal edhe kur është fjala për mënyrën se si të sigurojmë vende të mira pune dhe zhvillim ekonomik të duhur.

Sigurimi i themeleve ekonomike të Gjermanisë

Sipas Scholz "CDU / CSU janë të vendosura të organizojnë shkurtime taksash për ata që kanë të ardhura të mëdha dhe për kompanitë me fitime shumë, shumë të mëdha, prej 30 miliardë eurosh. Por përndryshe ato janë shumë të paqarta, gjë që është një mesazh i qartë. Uljet e taksave mund të bëhen se ne arritëm t'i shpëtojmë ekonominë dhe vendet e punës me një hua prej gati 400 miliardë euro për vitin e ardhshëm. Por kjo mund të bëhet vetëm nëse ne bëjmë shkurtime për çështjet sociale, dhe nuk bëjmë investime në infrastrukturë që janë të rëndësishme për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse unë them qartë se ekziston një ndryshim politik që duhet diskutuar. Kjo vlen edhe për pyetjen nëse duam të gjejmë, për shembull, se si mund t'i sigurojmë themelet ekonomike të Gjermanisë. Kjo do të funksionojë vetëm nëse zgjerojmë në masë prodhimin e energjisë. Diçka që CDU/CSU e refuzon. Dhe nëse arrijmë ta bëjmë këtë, ne do të marrim vendimet përkatëse shpejt në vitin e parë të qeverisë së re.”

Pagë minimale prej 12 eurosh

Scholz tha se për të "është shumë e rëndësishme që në Gjermani të ketë një pagë minimale prej 12 eurosh në orë, e cila do t'u mundësojë rreth dhjetë milionë qytetarëve paga më të mira.” Kandidati për kancelar shtoi se "gjëja e dytë që është shumë e rëndësishme është që të zgjerojmë ofertat për çerdhe dhe kopshte dhe për kujdesin ditor të fëmijëve në shkolla. Ne tashmë kemi vënë në dispozicion fonde për këtë. Dhe unë dua ta vazhdoj ta bëj këtë në mënyrë që ta arrijmë një gamë gjithëpërfshirëse përkujdesjeje gjatë gjithë ditës dhe pa pagesë për fëmijët, sikurse bëhet tashmë një gjë e tillë në disa lande.”

Ndihma për vendet në zhvillim

Sa u përket dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia Scholz tha qeveria ka miratuar 400 miliardë euro që do të shpenzohen në fund të vitit të ardhshëm për të luftuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia në Gjermani. Scholz tha, se është angazhuar shumë që vendet e G-7 dhe të vendet e G20 të vendosin për lehtësimin e borxhit për vendet e tjera të botës si dhe për moratoriumet e borxhit në sektorët ku është e mundur të zbatohet kjo.

Ai tha se Gjermania po ashtu ka vënë në dispozicion miliarda për vendet në zhvillim në mënyrë që këto të sigurojnë doza vaksinimi.

Sfida e klimës

Sipas ekspertëve sfida më e madhe me të cilën njerëzimi duhet të përballet sot është kriza e klimës dhe jo lufta kundër krizës së koronës, prandaj sipas Scholz në Gjermani janë marrë prej vitesh vendime largvajtëse në lidhje me krizën klimatike. Prej shumë vitesh Gjermania ka gjithashtu një ligj për zgjerimin e energjive të rinovueshme, i cili konsiderohet si shembullor në të gjithë botën.

Scholz tha se ky është ndoshta programi më ambicioz, pra që deri në vitin 2045 të mos emetojmë më CO2, pra pothuajse për 25 vjet. Po sipas tij në Gjermani "duhet të zgjerohen në mënyrë masive kapacitetet e energjive të riciklueshme, dhe duhet të ndryshohen ligjet në mënyrë që të zgjerojmë sa më shpejt rrjetin e energjisë elektrike dhe kapacitetet e prodhimit me turbina me erë dhe me panele për energji diellore.”/dw


MË SHUME NGA Intervista