Aktorja e famshme Christina Applegate zbulon se vuan nga skleroza multiple
BKT
Magazina

Aktorja e famshme Christina Applegate zbulon se vuan nga skleroza multiple

Christina Applegate, aktorja e njohur për rolet e saj në filma si “Anchorman” dhe “Bad Moms”, ka njoftuar në rrjetë sociale se është diagnostikuar me sklerozë multiple.

“Disa muaj më parë u diagnostikova me sklerozë multiple. Ka qenë një udhëtim i çuditshëm. Por, jam mbështetur shumë nga njerëzit që njoh dhe kanë të njëjtin problem shëndetësor. Ka qenë një rrugë e vështirë, por siç e dimë të gjithë rruga vazhdon. Përveç nëse ndonjë idiot e bllokon atë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Skleroza multiple, një sëmundje autoimune, ndodh kur sistemi imunitar fillon të sulmojë shtresën që mbron fijet nervore, duke e bërë të vështirë për trurin të komunikojë me pjesën tjetër të trupit. Skleroza multiple shpesh e bën më sfiduese ecjen dhe lëvizjen, dhe për disa çon në paralizë të këmbëve.

Shkaku i saktë i kësaj sëmundje është i panjohur dhe rastet mund të shkojnë nga ato të lehta deri te ato më të rënda. Sëmundja, e cila prek kryesisht gratë, është rrallë fatale, por zvogëlon jetëgjatësinë e dikujt me pesë deri në 10 vjet, mesatarisht.

Në Twitter, Applegate kërkoi privatësi ndërsa përballet me këtë sëmundje.

“Siç tha një nga miqtë e mi që ka sklerozë multiple, ne zgjohemi dhe bëjmë veprimin e kërkuar. Dhe kjo është ajo që unë bëj”, tha tutje ajo.

Më shumë se një dekadë më parë, Applegate u diagnostikua me kancer të gjirit dhe iu nënshtrua një mastektomie dypalëshe.

“Unë qaj të paktën një herë në ditë për këtë, sepse është e vështirë ta anashkalosh kur qëndron para pasqyrës. Kur shikoni poshtë është gjëja e parë që shihni … Kështu që ju kujtohet vazhdimisht kjo gjë, kjo gjë e kancerit që kishit”, tha Applegate në “Oprah Winfrey Show” në 2008, njofton Klankosova.tv.

Applegate fitoi një çmim “Emmy Primetime” si aktorja më e mirë mysafire në një seri komedi për rolin e saj në “Friends” në vitin 2003. Ajo u nominua në të njëjtën kategori sërish në vitin 2004.

Ajo u nominua për rolin e aktores kryesore në një seri komedi për “Samantha Who?” në 2008 dhe 2009.


MË SHUME NGA Magazina