Hoxhaj shkruan për tërmetin tragjik në Haiti
Tërmeti i shkallës 7.2 magnitudë ka shkatërruar një pjesë të madhe të Haitit dhe gjithashtu raportohet se numri i të vdekurve është rritje. Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur keqardhjen e tij lidhur me dëmet që ka shkaktuar tërmeti atje.
Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter ka thënë se Haiti u godit nga tërmeti në një kohë kur vendi s’ka qeveri funksionale dhe vuan nga Covid-19, sipas tij, është dëm i madh.
Ndërkohë, ndaj këtij shkrimi të Hoxhajt u shpreh falenderues edhe ish-kryeministri i Haitit, Laurent Lamothe, i cili tha se Haiti tani ka nevojë më së shumti që miqtë t’i qëndrojnë afër.
“… ne kemi nevojë për solidaritetin dhe vëmendjen e botës për të ndihmuar mijëra njerëz në nevojë!”, ka shkruar ish-kryeministri i Haitit.
Hoxhaj ka treguar se sa ishte ministër i jashtëm e ka vizituar Haitin, kur ky shtet njohu pavarësinë e Kosovës.
“Një tërmet tragjik goditi Haitin. Në një kohë kur Haiti është jashtë një qeverie funksionale dhe vuan nga COVID-19, dëmi është i madh. Unë e kam vizituar Haitin në vitin 2012 kur e njohën Kosovën, 2 vjet pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010 që kishte shkatërruar jetë dhe infrastrukturë.”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
“Faleminderit Enver Hoxhaj. Haiti po tronditet nga efekti i tërmetit të dytë në 11 vjet, ne kemi nevojë për solidaritetin dhe vëmendjen e botës për të ndihmuar mijëra njerëz në nevojë! #helphaiti miqësia Haiti-Kosovë”, i ka shkruar Enver Hoxhajt ish-kryeministri i Haitit Laurent Lamothe.























