Uran Ismaili e dorëzon në KQZ kandidaturën për kryetar të Prishtinës
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, e ka dorëzuar në KQZ kandidaturën për kryetar të Prishtinës.
Këtë e ka bërë të ditur Ismaili përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar qytetarët e Prishtinës për të cilët thotë se e kanë mbështetur.
“Javët e fundit, përveç inkurajimit të madh, unë kam pranuar edhe shumë informata, ide, por më e rëndësishmja edhe shumë respekt, dashni e energji pozitive nga qytetarët e Prishtinës. Bujtjet, intervenimet nëpër lagje, diskutimi me qytetarët në çdo lagje, më kanë bërë me kuptu dhe më kanë siguru që bashkimi rreth Prishtinës është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë për ta transformu qytetin tonë”.
Ismaili ka thënë që Prishtina është trajtuar si “bastion partiak” dhe kjo është diçka që sipas tij, duhet ta ndryshohet fundamentalisht.
“Sepse për shumë vite me radhë, Prishtina ka qenë e ndarë për interesa financiare dhe politike. Prishtina është trajtu si bastion partiak. Dhe kjo është diçka që duhet ta ndryshojmë, fundamentalisht. Me kandidaturën time dua të dërgoj mesazh të qartë se unë dua të jem kryetar i Prishtinës për të gjithë qytetarët e Prishtinës, pa dallim. Për këtë arsye kam zgjedhë që mesazhi ynë të jetë “Prishtina na bashkon”. Bashkimi, jo ndarja, është rruga jonë. Rruga që edhe unë e kam zgjedhur për Prishtinën”, u shpreh tutje ai.























