Autoritetet thonë se ka zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia
BKT
Shqipëri

Autoritetet thonë se ka zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia

Autoritetet në Shqipëri thonë se zjarrvënia e qëllimshme apo nga pakujdesia ka rikthyer shqetësimin serioz për gjendjen e zjarreve në vend.

Zyrtarët vërejnë se dhjetëra trupa të ushtrisë janë në operacione për shuarjen e flakëve. Shqetësimi është rikthyer gjithashtu në Malin e Runës përmbi Tunelin e Kalimashit.

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri riktheu shqetësimin e madh për gjendjen e zjarreve në mbarë vendin. Shqetësimin më të madh e ka zona e Pukës në Malin e Tërbunit si dhe Mali i Rrunës përmbi Tunelin e Kalimashit në Rrugën e Kombit, raportoi korrespondenti i RTK-së, Knid Denion Ndrenika Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, vazhdon të jetë problematike. Në terren po punojnë 15 trupa nga FA dhe 20 forca nga strukturat vendore.

Situata është e vështirë për shkak të terrenit të thyer. Zjarri në Malin e Tërbunit në Pukë, vazhdon të jetë problematik. 50 efektivë të FA, 12 zjarrfikës, 8 punonjës të shërbimit pyjor, 20 vullnetarë po punojnë për mbajtjen në kontroll te situatës që të mos rrezikohet kurora e qytetit te Pukës. 25 trupa nga FA dhe 30 forca të tjera të pushtetit vendor kanë ndihmuar që situata në fshatin Patale në Lezhë të paraqitet e përmirësuar. Ndërsa në Mirditë, zjarri zhvillohet me intensitet të ulët.

Në vatrën e zjarrit në fshatin Thirrë, ka vijuar puna në terren nga 40 trupa të FA dhe 14 nga strukturat vendore. Nga ajri po kryen ndërhyrje me helikopterin holandez. Dhjetëra efektivë të ushtrisë janë përfshirë në operacione për shuarjen e zjarreve si dhe vullnetarë dhe struktura civile për të mbrojtur kurorën pyjore të Pukës, Kukësit si dhe të Korçës nisur nga Voskopoja.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Korçë, Koço Cicko vëren se problemin madhor e ka zjarrëvënia me qëllim apo nga pakujdesia. “Për fat të keq zjarrfikëset nuk bëjnë shumë punë këtë situatë. Jemi futur me trupa tokësore nga të gjitha krahët derisa kemi arritur mbylljen e pjesës qendrore të zjarrit. Jemi afër fikjes së zjarrit. Të paktën e kemi nën kontroll. Dëmi është i dukshëm. Afërsisht 100-110 hektarë të përshkruar nga zjarri.

Është ose zjarrëvënie e qëllimshme, ose nga pakujdesia. Nuk merr vetë zjarr vegjetacioni”-tha më herët Cicko. Trupat e ushtrisë kanë hyrë gjithashtu për të ndihmuar në shuarjen e flakëve të zjarreve në fshatin Patale të Lezhës. Thuajse 40 trupa të ushtrisë janë përfshirë në operacione për shuarjen e zjarreve në fshatin Thirrë të Lezhës dhe gjithashtu edhe helikopterët.

Në fshatin Flet, në Fushë Arrëz situata është vënë në kontroll ndërsa në fshatin Dardhë situata paraqitet më problematike për shkak të bimësisë së dendur. Është riaktivizuar vatra e zjarrit ndërmjet fshatrave Drisht, Mazrek, Lundertune dhe Rragam në njësinë administrative Guri Zi dhe Pobtribe duke e kthyer këtë zonë me 3 vatra zjarri. Sipas ministrisë së Mbrojtjes, zjarri ne fshatin Kaçni, njësia administrative Selishtë në Dibër, vazhdon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore në terren të vështirë . Sot në terren po punojnë janë 15 trupa nga FA dhe 18 forca nga strukturat vendore.

Sipas vlerësimit të punës së bërë në terren mendohet qe deri në fund të ditës së sotme të arrihet të bëhet izolimi i vatrës. Vatër zjarri është aktivizuar në Gurin e Nikës në Pogradec; në vendin e quajtur kodrat e Divjakës pranë parkut Kombëtar Divjakë; në fshatin Fushë Arrëz në Luftinjë si dhe në fshatin Kamican në Elbasan ku për të gjitha vatrat po punohet për mbajtjen nën kontroll të situatës, tha ministria e Mbrojtjes.


MË SHUME NGA Shqipëri