SHBA: Nuk ka ende numër të saktë të afganëve që do të strehohen në Shqipëri
Tirana dhe Uashingtoni thonë se nuk kanë ende numër të saktë të afganëve që do të strehohen në Shqipëri pas largimit nga vendi i tyre për shkak të rikthimit të talebanëve në pushtet.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja amerikane, Juri Kim, thanë se situata po ndryshon shumë shpejt në Afganistan.
Ambasadorja Kim (Yuri Kim) dhe ministrja Xhaçka konfirmuan se këtë të martë me gjasë mbërrijnë afganët e parë, ndoshta rreth orës 16 e 30 në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza”. Ministria e Jashtme ftoi mediat të paraqiteshin sa më shpejt për konferencë të mundshme për gazetarë pas takimit të ministres Xhaçka me ambasadoren Kim.
Ministria tha se siguronte pritjen e afganëve që u rrezikohet jeta nga rikthimi i talebanëve në pushtet, raportoi korrespondenti i RTK-së, Knid Denion Ndrenika.
Ministrja Xhaçka dhe ambasadorja Kim thanë se takimi ishte i rëndësisshëm përkundër situatës që mbetet ende në zhvillim.
“Patëm një takim shumë të frutshëm për një situatë shumë dinamike, të cilën që po e ndjekim minutë pas minuti”-tha ministrja. Kurse, ambasadorja Kim theksoi se “ne nuk kemi një numër të saktë ende, sepse situata po ndryshon shumë shpejt”.
“Njerëzit do të vijnë këtu përkohësisht dhe më pas do të vendosen në Shtetet e Bashkuara dhe disa po shkojnë menjëherë atje”-tha zonja Kim.
Afganët e parë besohet të strehohen në Tiranë dhe në Durrës përfshi konviktet e studentëve si dhe hotelerinë e Durrësit.























